Gjatë ditës së djeshme janë shënuar zhvillime të reja që mund të ndikojnë në ngadalësimin e mëtejshëm të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ishte, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njoftoi të martën se e ka tërhequr një kërkesë drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.
Sipas Osmanit, arsyeja e tërheqjes lidhet me faktin që gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban, ishte caktuar si raportues për këtë rast. Ajo e konsideroi këtë zhvillim jo vetëm shqetësues, por edhe të rrezikshëm.
“Këtë vendim e kam marrë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se gjyqtari raportues në këtë rast është Radomir Llaban, për të cilin institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione zyrtare lidhur me veprimtarinë e tij të rrezikshme në vitet 2018, 2021 dhe 2024,” deklaroi Osmani.
Ajo shtoi se, sipas të dhënave që i janë dorëzuar edhe Gjykatës Kushtetuese në vitet 2021 dhe 2024, Llaban përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i përfshirë në veprimtari që cenojnë rendin kushtetues të shtetit.
Ky vendim i Presidentes dhe informacionet në lidhje me gjyqtarin serb kanë nxitur reagime të shumta dhe të ashpra në opinionin publik dhe në skenën politike.
Kësisoj, situata mbetet e paqartë, ndërsa zhvillimi i fundit ka shtuar më shumë pasiguri për atë që mund të ndodhë pas datës 8 gusht.
Halilaj: Nuk është thjesht një qëndrim politik, por një alarm institucional
Si fillim, për këtë çështje, për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj.
Ai mirëpriti këtë vendim të presidentes Osmani dhe madje e cilësoi si të guximshëm, e që synon ta mbrojë integritetin kushtetues të vendit.
Sipas tij, ky nuk është vetëm qëndrim politik, por alarm për standardet e drejtësisë në Kosovë.
“Vendimi i Presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën nga Gjykata Kushtetuese duhet parë si një veprim i guximshëm dhe i drejtë, që synon të mbrojë integritetin kushtetues dhe pavarësinë e proceseve shtetërore. Refuzimi për të pranuar caktimin e një gjyqtari me të kaluar problematike dhe përkatësi të diskutueshme etnike si raportues në një çështje aq delikate, nuk është thjesht një qëndrim politik, por një alarm institucional për standardet e drejtësisë në vend”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, Halilaj konsideron se me këtë vendim, Osmani ka mbajtur qëndrimin parimor që gjyqtarët e Kushtetueses.
“Me këtë veprim, Presidentja ka zgjedhur të mos legjitimojë një proces që, sipas saj dhe shumë vëzhguesve, mund të rrezikonte paanshmërinë e vendimit. Në vend që të presë një rezultat potencialisht të komprometuar, ajo ka mbajtur qëndrimin parimor që gjyqtarët e Kushtetueses duhet të jenë të pastër, profesionalë dhe të besueshëm për të gjitha palët.
Ky veprim gjithashtu mund të shërbejë si një thirrje për rishikim të përbërjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe institucioneve në këtë hallkë jetike të shtetit ligjor”.
Pavarësisht kësaj, avokati tha se ky vendim do ndikojë në vendimin që pritet të merret me 8 gusht nga Kushtetuesja.
“Megjithëse kjo lë një boshllëk në vendimmarrjen e pritshme të 8 gushtit, Presidentja ka dëshmuar se mbrojtja e parimeve është më e rëndësishme sesa përfitimi i një vendimi të shpejtë, por të ndikuar”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Bajraktari: Shpresojmë dhe presim që Gjykata të marrë vendim si dhe ta bëjë publik atë para datës 8 gusht
Kurse, avokati tjetër, Ardian Bajraktari kishte një qëndrim tjetër.
Sipas tij, presidentja Osmani përmes këtij veprimi ka tentuar të justifikuar një huqje të adresimit të çështjes nga ana e Presidencës në Kushtetuese.
“Tërheqësja e kërkesës nga ana e Presidentes vlerësoj se është një tentativë për ta justifikuar një huqje të adresimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga ana e institucionit të Presidencës së Kosovës.
Ngase një çështje e tillë e adresuar si çështje e konfliktit për kompetencë, në esencë përmbante pyetje në adresë të gjykatës, e ku kjo e fundit nga viti 2018 e këndej nuk i trajton çështjet e tilla, andaj lehtësisht me dhe me shumë gjasë kjo ka mund të vlerësohet si kërkesë përkatësisht lëndë e papranueshme nga ana e Gjykatës”, shpjegoi ai.
Pavarësisht kësaj, avokati pret një vendim sqarues nga ana e Kushtetueses, para datës 8 gusht.
“Ndonëse çështja është politike, megjithatë adresimi i çështjeve përkatësisht kërkesave nga dy subjektet politike (LDK dhe PDK) nga ana e Gjykatës do ta qartësonte situatën. Shpresojmë dhe presim që Gjykata të marrë vendim si dha ta bëjë publik atë para datës 8 gusht.
Ndryshe veprimi i natyrës paragjykuese i Presidentes në raport me çështjen, është për keqardhje dhe si i tillë e minon besimin e publikut në Gjykatë tej mase”, përmbylli Ardian Bajraktari për “Bota sot”.