Kërkohet heqja e participimit në projektin e renovimit të ndërtesave të banimit kolektiv

Prishtina

Kërkohet heqja e participimit në projektin e renovimit të ndërtesave të banimit kolektiv

Më: 9 mars 2021 Në ora: 17:11
Ndërtesave të banimit kolektiv

Komuna e Prizrenit ka iniciuar procedurat për projektin e renovimit dhe rehabilitimit të disa ndërtesave të banimit kolektiv në qytet, me participim nga banorët. Organet komunale kanë publikuar listën e përfituesve, ku figurojnë 12 ndërtesa shumëbanesore në zona të ndryshme të qytetit, me ç’rast shuma e zotuar nga banorët për participim sipas dëshmive bankare shkon në mbi 14 mijë euro. Por përfaqësues nga radhët e opozitës kanë bërë thirrje që për këtë projekt të Komunës, mos të aplikohet participimi, shkaku i kushteve të rënduara ekonomike të qytetarëve në periudhë pandemie.

Në njoftimin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor sqarohet se pas thirrjes për aplikim të publikuar në janar të këtij viti për renovimin e ndërtesave të banimit kolektiv, janë pranuar dokumentet e kërkuara dhe se Komisioni vlerësues ka përzgjedhur listën e përfituesve.

“Shuma participimeve që na është dëshmuar sipas dëshmive bankare është 14,122.90 euro. Pas përgatitjes së paramasave do të fillojmë procesin e prokurimit. Nga ky investim do të përfitojnë edhe 214 njësi banesore. Vlen të theksohet se deri më tani kemi investuar gjithsej në 22 banesa kolektive për qëllim të njëjtë, me këtë investim do të arrijmë në 34 banesa kolektive. Çdo vit me buxhet të caktuar dhe me participim do të vazhdojmë edhe më tutje të investojmë deri në rregullimin e të gjitha kulmeve të banesave kolektive”, thuhet në njoftimin e DUPH-së, të publikuar javë më parë në ueb faqen e Komunës së Prizrenit.

Mirëpo anëtarja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e AAK-së opozitare, Vjollca Kabashi ka kërkuar që për renovimin e rehabilitimin e ndërtesave shumëbanesore të hiqet participimi nga banorët.

“Të largohet participimi i objekteve kolektive, kur shihet se në çfarë situate të pandemisë jemi. Andaj ka ankesa nga të gjithë qytetarët e këtyre banesave ku ju rrjedh uji nga kulmi dhe llamarinat e shiut. Qytetarët thonë se nuk kemi mundësi që të participojmë”, ka thënë ajo gjatë seancës së fundit të KK-së.

anën tjetër në njoftimin publik të Drejtorisë së Urbanizmit të publikuar në janar të këtij viti, thuhej se renovimi i kulmeve të ndërtesave shumëbanesore sivjet do të realizohet me participim, pasi shuma e ndarë nga Komuna nuk i mbulon kërkesat e paraqitura nga qytetarët.

“DUPH njofton të gjithë qytetarët se lidhur me projektin ‘Renovimi i kulmeve të banesave kolektive në Komunën e Prizrenit’, i cili është planifikuar të bëhet gjatë këtij viti përmes buxhetit të ndarë për këtë projekt, do të bëhet me participim nga ana e qytetarëve të këtyre banesave, pasi që shuma e ndarë nuk mund të arrijë të mbulojë të gjitha kërkesat e paraqitura. Deri më datën 31.12.2020, DUPH ka pranuar rreth 70 kërkesa për renovim të kulmeve nga ana e banorëve të banesave kolektive në qytetin e Prizrenit dhe se nga 70 kërkesat e paraqitura, vetëm rreth 10 % prej tyre do të bëhet renovim i kulmeve”, thuhej në këtë njoftim, ku sqarohej se përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga komisioni vlerësues në bazë të kritereve të përcaktuara.

“Buxheti i planifikuar për vitin 2021 është 190.000 euro, ndërsa vlen të theksohet se për 4 banesa, DUPH ka pasur paraprakisht paramasat dhe se nga shtatori i vitit 2020, ka filluar procedurat e prokurimit lidhur me banesat në fjalë, mirëpo një proces i tillë nuk u arrit të përfundohet deri në dhjetor të vitit 2020. Andaj, shuma për këto katër banesa do të paguhet nga kjo shumë, ndërsa mbetja tjetër e shumës me participimin e banorëve pretendohet në përfundimin edhe të 7 apo 8 banesave tjera deri në përmbyllje të vitit 2021”, thuhej në njoftimin e DUPH-së.

Ndërsa sa i përket projektit të “Lyerjes së korridoreve të banesave kolektive”, DUPH pati theksuar se prioritet do të kenë ndërtesat e ndërtuara para vitit 2000, ku shuma e planifikuar për këtë projekt është 100,000 euro.

Në prill të vitit të shkuar opozita pati akuzuar Ekzekutivin komunal për favorizim të pushtetarëve lokalë gjatë zbatimit të projektit të renovimit të pullazeve të ndërtesave shumëbanesore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat