VV në Prishtinë akuzon LDK-në se jashtëligjshëm ka rindërtuar në selinë e saj

Prishtina

VV në Prishtinë akuzon LDK-në se jashtëligjshëm ka rindërtuar në selinë e saj

Më: 6 prill 2022 Në ora: 16:37
Arianit Beqiri

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë po akuzon Lidhjen Demokratike të Kosovës se në mënyrë të jashtëligjshme dhe pa leje ka bërë renovimin e objektit ku ndodhet selia e saj në lagjen “Qafa” në kryeqytet.

VV me këtë rast ka paralajmëruar kallëzim penal për Drejtorinë e Inspektimeve, ndërsa nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka kërkuar që objektin ta kthejë në gjendjen e mëparshme.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arianit Beqiri u shpreh se Drejtoria e Urbanizmit e Prishtinës në gusht të vitit të kaluar ia kishte refuzuar LDK-së kërkesën për leje ndërtimore.

Sipas tij, objekti i LDK-së ndodhet në zonën e mbrojtur, por ky subjekt nuk kishte bërë kërkesë për pëlqim tek organet kompetente për rindërtim.

Beqiri: Drejtoria e Urbanizimit ka refuzuar kërkesën e LDK-së për rindërtim

“Më 6 maj 2021 në Drejtorinë e Urbanizimit në komunës e Prishtinës, subjekti politik LDK me seli qendrore te “Qafa”, rruga “UÇK”, nr. 88, aplikon për leje ndërtimore dhe leje rrënimi për kategorinë e parë dhe të dytë të ndërtimeve… Më datën 10.08.2021 kjo kërkesë refuzohet. Punimet është raportuar se kanë mbaruar në janar 2022… Pala nuk ka pasur pëlqimin e banorëve, pronarëve të njësive banesore të ndërtesës kolektive ku janë kryer punimet, muret e jashtme ku është intervenuar, shkallët, korridoret dhe hapësirat tjera të përbashkëta në bashkëpronësi të banorëve duhet të kenë paraprakisht pëlqim edhe nga banorët. Vendimi për refuzim është i vlefshëm edhe nëse ai nxirret jashtë afatit derisa pala nuk ka shfrytëzuar mjetet juridike siç është ankesa për kundërshtim ndaj këtij vendimi dhe ndonjë organi tjetër e në këtë rast Ministria e Mjedisit. Tjetra, shumë e rëndësishme, objekti i LDK-së në kompleksin te “Qafa” sipas një përgjigjeje nga Ministria e Kulturës thuhet ajo seli nuk gjendet brenda qendrës historike të Prishtinës, por në zonën mbrojtëse të kësaj qendre. Në qendrën rajonale kulturore nuk është pranuar kërkesa për pëlqim për realizim e ndërtimeve për këtë ndërtesë”, tha ai.

Beqiri u shpreh se këshilltarët juridikë të Lëvizjes Vetëvendosje janë duke përgatitur një kallëzim penal për Drejtorinë e Urbanizmit në Prishtinë, për mos intervenim ndaj këtij ndërtimit te selia e LDK-së.

Beqiri: Po përgatisim kallëzim penal

“Komuna e Prishtinës nuk është transparente, ajo nuk na është përgjigjur duke mbrojtur subjektin e tyre politik. Neglizhenca e Drejtorisë së Inspeksionit është evidente ata ndonëse e kanë parë që nuk ka leje, nuk kanë intervenuar në kohën e kryetarit Ahmeti, por as tash në kohën e kryetarit Përparim Rama. Për këtë këshilltarët tanë ligjorë janë duke përgatitur padi penale, të cilin do ta ushtrojnë për mos përmbushje të detyrave nga kjo drejtori. LDK, për ndërhyrje me fasadë, e ka shfrytëzuar kohën e balotazhit në Prishtinë”, theksoi Beqiri.

Shefi i këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla u shpreh se komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Përparim Rama i janë “dorëzuar” LDK-së. Ai shtoi se LDK-ja, e cila quan veten institucionaliste, nuk ka përfillur ligjet dhe vendimet e institucioneve.

Sveçla: Komuna e Prishtinës e Përparim Rama janë dorëzuar para LDK-së

“Megjithëse është refuzuar, LDK ka injoruar këtë vendim dhe ka filluar dhe mbaruar punën ndërtimore që ka pasur në plan. Komuna e Prishtinës ka heshtur, asnjë veprim... Komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj Përparim Rama janë dorëzuar para LDK-së. Partia që e quan vetën institucionale nuk ka përfillur ligjet dhe nuk ka respektuar vendimet e institucioneve. Ne e dinim që ky është modeli qeverisës i LDK-së, e kemi parë shumë herë në shumë vende të Kosovë. Gjendja urbanistike në Prishtinë është vula më e mirë e këtij modeli, por nuk besonim se të paktën që një arkitekt, e tash kryetar, i cili vazhdimisht e ka potencuar përgatitjen e tij profesionale në Evropë, do të mbyllë sytë para një akti të tillë të shëmtuar dhe antiligjor që ka ndodhur në qendër të kryeqytetit”, tha ai.

Sveçla kërkoi nga kryetari Rama që të iniciojë procedura me ligj për dënim të personave përgjegjës që kanë bërë shkelje ligjore, si dhe të bëjë rikthimin e objektit në gjendjen e mëhershme.

Sveçla: Kërkojmë që objekti të kthehet në gjendjen e mëhershme

“Kërkojmë nga kryetari sa më parë të iniciojë procedurat e parapara me ligj për dënimin e personave që kanë bërë shkelje ligjore, duke rindërtuar pa leje. Kërkojmë kthimin e objektit në gjendjen që ka qenë dhe të ndërmerren masa ndaj zyrtarëve të Inspeksionit që nuk e kanë kryer punën e tyre”, u shpreh Sveçla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat