Lirohen hapësirat e trotuareve në disa rrugë në kryeqytet

Prishtina

Lirohen hapësirat e trotuareve në disa rrugë në kryeqytet

Më: 4 mars 2023 Në ora: 20:55
Foto ilustrim

Komuna e Prishtinës së bashku me ndërmarrjen Publike Banesore dhe në koordinim me Policinë e Kosovës kanë liruar hapësirën e trotuareve në rrugën “Edmond Hoxha” në kryeqytet, e cila prej kohësh ishte e zënë me automjete të parkuara.

Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës bëjnë të ditur se projekti për lirimin e hapësirave për këmbësorë dhe shteg për biçikleta do të vazhdojë të implementohet edhe në shumë lagje të tjera në kryeqytet.

Pengesat e vendosura në rrugën “Edmond Hoxha”, e cila gjendet pran sallës së sportit “1 Tetori” në kryeqytet tash e tutje do të pamundësojnë parkimin e veturave në trotuare.

Në vazhdën e lirimit të tyre, Komuna e Prishtinës po synon lëvizje të lirë të këmbësorëve si dhe krijimin e shtigjeve për biçikleta.

“Kemi filluar me rrugën “Muharrem Fejza” “Agim Ramadani” tani radha është për te “Eqrem Qabej” , kështu kemi me vazhduar edhe me hapësira tjera, gjithashtu është përfunduar edhe projekti “Parku” i cili gjithashtu ka pas të bëjë me lirimin e hapësirave për këmbësor të njëjtën kohë do të vazhdojmë prapë me “Parkun” një pjesë tjetër bukur e madhe që ka mbet e cila gjithsesi do të lirohet për këmbësor”, tha Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike, raporton rtk.

Për lirim e këtyre hapësirave ka asistuar edhe Policia e Kosovës.

Realisht, gjithmonë po na asiston policia. Është e pamundur pa policinë me intervenuar për arsyeje se kemi shumë rezistime, pra qytetarët rezistojnë, për arsyeje është bërë shprehi dhe traditë që me u parku vend e pa vend dhe hapësirat për këmbësor janë kthye në parkingje andaj gjithmonë po kemi nevojë edhe për mbështetjen e policisë”, tha ai

Nga ana tjetër, qytetarët këtë iniciativë e shohin si pozitive, megjithatë ankohen për mungesë të parkingjeve.

“Mirë më duket që është, por makinat ku me shku, s’ka parkingje. Mu më duket që mirë është”, u shpreh Ramiz Avdyli, qytetar.

“Veç po i ndërrojnë, herë po i qesin e herë po i heqin, po më duket që veç po luajnë lojna. Mirë është me i liruar hapësirat, por është mirë me i vendos të kualitetit të mirë të qëndrueshme”, tha Jeton Rrahmani, qytetar.

Pengesa të ngjashme për veturat dhe lirim i hapësirave për këmbësorët pritet të vendosen edhe nëpër lagjet e tjera në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat