Marshi i grave, hedhin ngjyrë të kuqe e tymuese para objektit të policisë dhe gjykatës
Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” po vazhdojnë marshin e tyre për në objektin Policisë së Kosovës, duke hedhur ngjyrë dhe tymuese të kuqe afër hyrjes kryesore të stacionit policor.
Ndërkohë që përmes zmadhuesve të zërit, po përmenden emrat e grave të vrara gjatë viteve të fundit në Kosovë.
“Poshtë Policia patriarkale, Policia i ka duart me gjakun e grave të vrara”, dëgjohen duke thënë pjesëmarrësit në marsh.
Njëjtë vazhduan edhe në drejtim të objektit Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Gratë në marsh lëshojnë këngë për Palestinën dhe mbajnë flamurin
Me moton “Marshojmë për njana-tjetrën”, Kolektivi “Marshojmë S’Festojmë”, po vazhdon marshi tradicional që shënon Ditën e Gruas.
Ato kanë lëshuar këngë të Palestinës dhe dikush nga marshueset mban flamurin e këtij shteti.
Në objektin e Avokatit të Popullit kanë vendosur banerin me mbishkrimin “një e ardhme më e mirë, është e mundur”.
Nis marshi për liri dhe barazi
Me moton “Marshojmë për njana-tjetrën”, Kolektivi “Marshojmë S’Festojmë”, ka filluar marshin tradicional që shënon Ditën e Gruas në sheshi “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
Dhjetëra gra, në mes tyre edhe disa burra me pankarta në duar kanë filluar ecjen e tyre, duke kërkuar liri dhe barazi për të drejtat e grave.
“Grua”, “Nata s’ka ispat”, “Jetë”, “Liri”, “Drejtësia e vonuar është padrejtësi”, “Punët e shtëpisë nuk janë punët e grave”, janë mbishkrimet që gratë dhe burrat po mbajnë në duart e tyre, në marshin tradicional.
Gjithashtu, ata po fishkëllojnë si shenjë për të protestuar për të drejtat e grave. Në sheshin “Zahir Pajaziti” po qëndrojnë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Sot në Ditën e Gruas marshohet në Prishtinë
Sot në Ditën e Gruas në Prishtinë do të mbahet marshi tradicional.
Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka njoftuar se marshi do të mbahet me fillim nga ora 12:00.
Nisja do të bëhet nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar deri tek Sheshi “Skënderbeu”.
Më tej është bërë e ditur se motoja e kësaj proteste është ‘’Marshojmë për njëra-tjetrën’’.