Në 26-vjetorin e çlirimit të Prishtinës, kryetari Përparim Rama ka bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në lagjen “Velania”. Ai ishte i shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i shqiptarëve në Amerikë, Ekrem Bardha dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka nderuar të gjithë dëshmorët, duke uruar për Ditën e Çlirimit të Prishtinës.
Rama: Urime dita e çlirimit
“Sot kemi nderin e madh që jemi së bashku me zotëri Ekrem Bardha, një shqiptaro-amerikan, një hero i vërtetë i gjallë i kombit tonë, një njeri që ka dhënë shumë për pavarësinë, për lirinë e vendit tonë dhe na ka nderuar sot me prezencën e tij këtu. Ishim me dhënë nderime edhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, te heronjtë tanë, tek dëshmorët së bashku edhe me komandantin Sopin së bashku me pjesëtarë të UÇK-së. Urime dita e çlirimit”, tha ai.
E përfaqësuesi i shqiptarëve në Amerikë, Ekrem Bardha tha se çlirimi i vendit dikur ka qenë ëndërr e madhe.
Bardha: Çlirimi i Prishtinës ka qenë një ëndërr për mua
“Jam shumë i prekur, ka qenë një ëndërr për mua, për shumë vite se a do të vinte kjo ditë që Kosova të ishte e lirë dhe shtet i pavarur. Jam këtu edhe me prezencën e juaj zotëri Rama, ju falënderojë për shoqërinë tuaj dhe ju uroj sukses në punën tuaj. Por, jam shumë i emocionuar sepse unë gjatë jetës time kam dedikuar për pavarësinë, dhe janë këta burra këtu që luftuan heroikisht dhe erdhi kjo ditë që ishte një ëndërr prej shekujve, një ëndërr që u realizuar dhe unë në këtë moshë që kam arritur nuk e kisha menduar që do të isha këtu me juve për të nderuar këta dëshmorë që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë”, u shpreh ai.