Banorët e lagjes “Mati 1” në Prishtinë gjatë fundjavës protestuan për shkak të mungesës së furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm.
Banorët thanë se pa ujë kishin mbetur që nga dita e premte, derisa Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” kishte thënë se mungesa e ujit është pasi fabrika në Shkabaj s’ka funksionuar për mbi 24 orë. Ndërsa sot furnizimi me ujë kishte filluar që në orën 5:00 të mëngjesit.
Qytetarët e këtyre lagjeve dolën në protestë dy ditë më parë sepse rrugët “Ndue Përlleshi”, “Sokol Sopi”, “Bahri Ademi”, si dhe lagje të tjera, kanë mbetur pa ujë, derisa të martën u është stabilizuar situata. Por këta banorë kanë halle të tjera me ujin.
“Uji ka ardhur diku kah ora 05 e mëngjesit. Në vikend s’kemi pas hiç, sidomos të shtunën e të dielën s’kemi pas hiç”, tha Muhamet Ramadani, përfaqësues i banorëve.
“Po ndikon shumë, përndryshe me ndaljen e ujit nuk po kemi punë. Puna ka ra shumë edhe klientët po ankohen”, tha Asdren Gashi, punëtor i një lokali.
“Tri ditë s’ka pas hiç as me lëshu një orë apo diçka, duke e ditë që për banesa është. S’kemi tjetër mundësi përveç banesës”, tha Burim Zogijani, banor i lagjes.
Por halli më i madh i banorëve në këto lagje është se ka që tri vjet që ata nga ora 22 e mbrëmjes nuk kanë ujë deri në mëngjes.
“Na e kemi për çdo ditë prej 10:00 të mbrëmjes, gjatë sezonit të verës, neve na ndalet uji. Këtë e kemi hall më të madh. Se ky hajde ka prishje a diçka, por na e kemi prej orës 10:00 të mbrëmjes nuk ka ujë deri në mëngjes”, tha Muhamet Ramadani, përfaqësues i banorëve.
“Prej orës 22:00 deri në mëngjes këtu nuk ka ujë. Nuk dihet arsyeja pse, besoj që duhet me na informu ujësjellësi rreth kësaj çështjeje, pse po ndalet uji kështu”, tha Asdren Gashi, punëtor i lokalit.
“Meqenëse ka 2-3 vite që këta ujin na e ndalin kah ora 17:00-18:00 dhe deri në orën 05 të mëngjesit nuk e lëshojnë. Si duket është te ky varri i Rugovës, njëri aty i ka të ndamë kujt me ia ndal e kujt me ia lëshu ujin, d.m.th. kur ka reduktime, a te ne ka gjithë. Veç i treti vit unë që e di këtu kemi reduktime të ujit, s’kem ujë”, tha Burim Zogijani, banor.
Herëve tjera shpërndarja e ujit për pije është bërë me autobote, por këtë herë nuk ka ndodhur.