Tulltorja e Prishtinës bëhet histori suksesi

Prishtina

Tulltorja e Prishtinës bëhet histori suksesi

Më: 28 tetor 2025 Në ora: 21:16
Tulltorja, Qendra ArtTek

Prishtina ka arritur një tjetër sukses ndërkombëtar në fushën e arkitekturës dhe zhvillimit urban. Projekti “Tulltorja – Qendra ArtTek” është shpallur fitues i çmimit të Fondacionit Holcim për Arkitekturë të Qëndrueshme, një nga vlerësimet më prestigjioze në botë që nderon dizajnin inovativ dhe ndërtimin e qëndrueshëm.

Sipas një komunikate të Komunës së Prishtinës, ky çmim i rëndësishëm vlerëson transformimin e Tulltores, një hapësirë industriale të braktisur, në një qendër arti, teknologjie dhe edukimi, që tashmë shërben si një simbol i rigjallërimit urban dhe kreativitetit qytetar në Prishtinë.

Projekti është vlerësuar për ruajtjen e trashëgimisë arkitektonike, përdorimin e qëndrueshëm të materialeve dhe përfshirjen aktive të komunitetit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, u shpreh krenar për këtë arritje, duke e cilësuar si një moment historik për zhvillimin e Prishtinës.

“Tulltorja, Qendra ArtTek është shembulli më i mirë i mënyrës se si qytetet mund të ringjallin trashëgiminë industriale dhe ta shndërrojnë atë në hapësira krijimtarie, bashkëpunimi dhe mësimi. Ky vlerësim e forcon pozitën e Prishtinës si qytet që beson në qëndrueshmëri, inovacion dhe lidhje njerëzore. Jam jashtëzakonisht krenar për arkitektët, artistët dhe partnerët që e kanë bërë këtë projekt realitet. Së bashku po ndërtojmë një qytet që jo vetëm ëndërron për të ardhmen, por e krijon atë.”

Projekti ArtTek konsiderohet një nga ndërhyrjet më të suksesshme të rigjenerimit urban në rajon, duke kombinuar funksione edukative, artistike dhe teknologjike në një hapësirë të vetme, që tashmë është bërë një pikë referimi për zhvillimin e qëndrueshëm në Ballkan.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat