Buxheti komunal, Rama: Ne mbrojmë interesat e qytetarit

Prishtina

Buxheti komunal, Rama: Ne mbrojmë interesat e qytetarit

Më: 27 nëntor 2025 Në ora: 15:51
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në seancën e jashtëzakonshme

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në seancën e jashtëzakonshme tha se ndarja e mjeteve vetanake dhe votimi i buxhetit 2026 janë fonde që do të shfrytëzohen për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike dhe në të mirë të kryeqytetasve.

Ai theksoi se në këtë situatë të ndjeshme prioritet janë qytetarët, duke potencuar se asnjë kalkulim politik nuk guxon të vihet mbi nevojat e tyre, raporton KosovaPress.

Rama: Asnjë kalkulim politik nuk guxon të vihet mbi nevojat e qytetarëve

“Ju kisha thënë të mos merremi me politika ditore sot, por për vendim të mëdha që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Para nesh janë dy vendime thelbësore për funksionimin normal të kryeqytetit. Kemi bartjen e mjeteve nga viti paraprak me vlerë prej 28 milionë eurosh dhe votimin e buxhetit për vitin 2026. Në këtë situatë të ndjeshme financiare dhe institucionale prioritet absolut janë qytetarët e kryeqytetit, asnjë kalkulim politik nuk guxon të vihet mbi nevojat e tyre. Fondet që do t’i trajtojmë sot, do të shfrytëzohen menjëherë për funksonalizimin e ndërmarrjeve publike për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe nevojat bazike të kryeqytetit. Kërkoj publikisht që edhe fondet prej 35 milionë eurove ku 25 janë të hyra vetanake dhe 10 milionë euro në formë granti qeveritar që u takojnë qytetarëve me ligj që nuk kërkojnë votë në asamble, por vetëm vullnet nga ministri në detyrë edhe ato të bëhet të mundshme për t’u shfrytëzuar nga kryeqyteti dhe të mos zvarriten pasi janë në dëm të qytetarëve”, tha Rama.

Para asamblistëve të komunës së Prishtinës, Përparim Rama rikujtoi se në Kuvendin Komunal mbrohen interesat e qytetarëve dhe jo interesat partiake.

Rama: Ne mbrojmë interesat e qytetarit, jo të partive politike

“Këtu nuk mbrojmë interesat partiake këtu mbrojmë interesin e qytetit dhe qytetarëve”, tha Rama.

Kujtojmë, komuna e Prishtinës dhe Ministria e Financave janë përplasur tash e sa muaj mbi bllokadën e buxhetit komunal. Si pasojë, Transporti Urban ndodhet në grevë që nga e hëna, pasi punëtorët nuk kanë marrë paga që nga muaji maj.

Ministria e Financave ka njoftuar se të premten e kaluar ka alokuar mjetet buxhetore për komunën e Prishtinës për muajin dhjetor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat