Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë dhënë deklarime të ndryshme lidhur me përgjegjësinë për mirëmbajtjen e segmentit të rrugës “Mon Balaj”, në lagjen Kodra e Trimave.
Komuna e Prishtinës ka thënë se ky segment rrugor është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, por për shkak të situatës së krijuar mbrëmë nga moti ka ndërhyrë menjëherë, duke theksuar se siguria e qytetarëve është prioritet absolut. Sipas Komunës, pavarësisht ndarjes së kompetencave, mbrëmë janë kryer dy intervenime në këtë rrugë për të parandaluar rrezikun dhe për të garantuar sigurinë në qarkullim. Komuna ka bërë të ditur se do të vazhdojë të veprojë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe se interesi publik dhe siguria janë mbi çdo procedurë administrative.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë në MMPHI, Hysen Durmishi, ka mohuar se segmenti i rrugës “Mon Balaj” është në përgjegjësi të ministrisë për mirëmbajtje. Ai ka deklaruar se MMPHI është e përgatitur dhe përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve që janë në kompetencë të saj gjatë sezonit dimëror dhe se ekipet e ministrisë kanë hedhur kripë në të gjitha rrugët nën përgjegjësinë e saj me fillimin e reshjeve të borës.
Sipas Durmishit, segmenti “Mon Balaj” është në kompetencë të Komunës së Prishtinës, e cila edhe ka ndërhyrë duke vendosur pengesa në këtë pjesë të rrugës. Ai ka sqaruar se përgjegjësia e MMPHI-së përfshin segmentin rrugor nga Bernica në drejtim të Komunës së Podujevës, ku edhe ka filluar realizimi i projektit të rrugës Prishtinë–Podujevë.
Të dy institucionet kanë apeluar për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë e sigurisë në qarkullim.