Vettingu në polici, Fran Rica: Mungesa e kapaciteteve vë në rrezik vijimësinë e procesit

Shqipëria

Vettingu në polici, Fran Rica: Mungesa e kapaciteteve vë në rrezik vijimësinë e procesit

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 21:16
Fran Rica

Në një raport të publikuar nga grupi i shteteve të Këshillit të Europës, Vettingu në policinë e shtetit cilësohet si një proces i padobishëm dhe rrezikon të shkarkojë disa prej drejtuesve të lartë të kualifikuar. Ish-drejtuesit e lartë të policisë e shikojnë me shqetësim vijimësinë e procesit të filtrimit të efektivëve.

Fran Rica drejtues i disa dikastereve në policinë e shtetit, aktualisht në profesionin e avokatit shprehet se me praktikën që komisioni po ndjek duke konfirmuar ata që justifikojnë vetëm gjysmën e pasurisë, pritet të kalojnë pjesa më e madhe e kupolës drejtuese.

Fran Rica: Komisionet kanë ecur me praktikën që nëse justifikon gjysmën e pasurisë pra mund të kalosh Vettingun. Në drejtësi kjo nuk po ndodh dhe në këto kushte pra numri i personave të skualifikuar do të jetë shumë i vogël megjithëse shumë veta mund të kenë problematika.

Ish drejtori i policisë Rica thotë se zvarritja e procesit dhe ndryshimet e shpeshta të ligjit kanë sjellë një trysni në punën e përditshme të punonjësve të policisë.

Fran Rica: Është me ritme shumë të ngadalta dhe kjo sipas meje vjen dhe për shkak të problematikave që ka vetë ligji. Dhe kjo është  një trysni që mund të kenë punonjësit e Policisë përsa kohë nuk kanë kaluar procedurën e Vettingut.

Sipas avokatit Rica, procesi do jetë i vështirë për tu përmbyllur për shkak të mungesës së kapaciteteve nga strukturat drejtuese.

Fran Rica: Unë e shoh me shumë rezervë kapacitetet e këtij shërbimi për të realizuar këtë proces

Këshilli i Europës sugjeroi të enjten zëvendësimin e vettingut me kontrolle periodike të integritetit gjatë kohës së ushtrimit të detyrës. Aktualisht, nga 31 drejtues policie që kanë përfunduar vettingun, janë konfirmuar në detyrë 23 drejtues të lartë, katër të tjerë kanë dhënë dorëheqjen dhe katër janë përjashtuar, duke u shkarkuar nga detyra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat