Gjykata Kushtetuese, Daci: I pamundur ndërtimi i saj brenda 31 dhjetorit

Shqipëria

Gjykata Kushtetuese, Daci: I pamundur ndërtimi i saj brenda 31 dhjetorit

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 21:19
Jordan Daci

Në fillim të këtij sezoni parlamentar, kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi premtoi ngritjen e Gjykatës Kushtetuese brenda 31 dhjetorit 2020.

Avokati Jordan Daci, e ka cilësuar të pamundur ngritjen e Kushtetueses brenda datës së premtuar. Ai ka thënë se aktualisht Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i ka mbaruar mandati, duke nënkuptuar një tjetër ngërç të madh në gjyqësor.

Daci: Duhet të jemi realist. Më datë 5 KED-së i ka mbaruar mandati dhe në momentin që të ka mbaruar mandati kush do ta marrë në shqyrtim përfundimin e rezultatit? KED-ja duhet ta marrë të plotë vendimin. Në pikëpamjen formale nuk plotësohet kriteri, sepse nuk kemi tre kandidatura. Pra me datë 31 e shoh të pamundur për t’u ngritur. Ambasadorja e SHBA e ka në detyrë që ta thotë këtë gjë. Nuk duhet të harrojmë që pozicioni i saj është politik dhe diplomatik. Çështjet e karakterit kushtetues edhe ligjor, duam apo jo ne kanë një formulë që është zgjedhur në atë formë, edhe pse për mua ka pasur gabime që në pjesën e ndërtimit të reformës dhe në disa pjesë të tjera, që janë këto gabime që po i paguajmë sot këtë haraç.

Problemi tjetër është që edhe nëse do të ngrihet nesër kjo gjykatë, për çështjet që ne presim zgjidhje nga kjo gjykatë, sërish ka gjasa 90% që kjo gjykatë të mos jetë funksionale, sepse me 6 veta mblidhen në seancë plenare. Nga ana tjetër që vendimet të merren duhen 5 vota pro, dhe çështjet që ne presim të marrin zgjidhje, duke filluar që nga zgjedhjet e 30 qershorit dhe shumë elementë të tjerë, janë aq të debatushme saqë unë e shikoj të pamundur mundësinë për të marrë 5 vota në këtë drejtim. Kjo do të thotë që do përfundojmë në një Gjykatë Kushtetuese që e kemi, por nuk merr vendime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat