Masakra dy vite më parë në ish-Bllok, akuza: Meviol Bilo vrau për vetëmbrojtje

Shqipëria

Masakra dy vite më parë në ish-Bllok, akuza: Meviol Bilo vrau për vetëmbrojtje

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 09:38
Foto ilustrim

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin Meviol Bilo, i akuzuar për vrasjen e ndodhur në ishBllok më 4 tetor 2018.

Akuza me të cilën ish-komando i Forcave të Armatosura shkon në gjykim, është ajo e plagosjes së rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme ndaj shtetasit Elion Hato. Ndërkohë, prokuroria vendosi të pushojë akuzën për vrasjen e Fabian Gaxhës, sepse argumentohet se ka qenë në kushtet e mbrojtjes ekstreme. Ndërsa shtetasit Redi Popesku, Geldi Hoti Licaj, Ervin Mata, Ajax Boshnjaku dhe Fabio Allushi kanë akuzohen për “Moskallëzim krimi”. Nga hetimet ka rezultuar se Prokuroria ka arritur në këtë konkluzion, duke pretenduar se Bilo ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes ekstreme. Kur ngjarja ndodh në kushtet e vetëmbrojtjes ekstreme, Bilo nuk mund të mbajë përgjegjësi. Më tej, prokuroria shprehet se Gaxha ishte ai që ka shtënë i pari dhe Bilo ka qëlluar për vetëmbrojtje. Krimi besohet se ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes dy grupeve në një lokal në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

SI NDODHI NGJARJA

Mbrëmjen e 4 tetorit të vitit 2018, Ervis Martinaj mbeti i plagosur në një lokal në qendër të ish-Bllokut, pas një përplasjeje të armatosur që i kushtoi jetën mikut të tij, Fabian Gaxha dhe plagosjen e Eljon Hatos. Mes personave që janë marrë të pandehur, pjesë e dosjes ka qenë edhe vetë Ervis Martinaj, i cili fillimisht në këtë dosje është hetuar dhe mbajtur për 7 muaj në burg me akuzën e “Vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë. Por, Prokuroria e Tiranës, në konkluzionin përfundimtar të dërgimit të dosjes në Gjykatë, ka ngritur ndaj Martinajt akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve për vrasje”, pasi ai iu ka dërguar SMS miqve të tij për t’u afruar në zonën e ish-Bllokut, “Fshehje të ardhurash”, “Falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit”, pasi Martinajt pas ngjarjes iu sekuestrua një pasaportë kosovare me emrin Admir Koca, dhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit” në kundërshtim me ligjin. Këto akuza ndaj Martinajt janë shtuar nga grupi i hetimit në datën 25 tetor 2019, pasi nuk kanë arritur të sigurojnë prova për ta akuzuar për “Vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë. Në këtë çështje mësohet se i pandehur është marrë edhe Ervin Mata, i fejuari i këngëtares Elvana Gjata, ku besohet se Prokuroria ngriti fillimisht akuzën e “Moskallëzimit të krimit” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”, pasi dyshohet se është personi që ka ndihmuar komandon Meviol Bilo të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke mos u arrestuar as sot e kësaj ditë nga Policia e Tiranës.

PAMJET FILMIKE

Në analizimin e pamjeve filmike, në dosjen e Prokurorisë thuhet se Martinaj nuk ka qenë i armatosur ditën e ngjarjes dhe s’ka kryer veprime agresive që kanë elementet për të vrarë dikë, ndaj dhe akuza e vrasjes me paramendim, për të cilën fillimisht Martinaj ka qenë nën hetim, nuk është provuar. Më herët, avokati i Ervis Martinajt, Mirash Martini, ka thënë se klienti i tij nuk është përfshirë në konflikt dhe masa e dhënë ndaj tij nuk ishte e drejtë. “Nuk ka të dhëna se Martinaj ishte i përfshirë në konflikte. Sherri ka qenë mes dy personave, Fabjan Gaxhës, i cili është konfliktuar në mënyrë verbale me komandon që nuk njihej nga Martinaj. Martinaj nuk ka pasur lidhje me këtë ngjarje. Ervis Martinaj ka pasur marrëdhënie korrekte me Ervin Matën, janë takuar në lokal. Në sherr nuk ishte i përfshirë klienti im. Ka qenë i pranishëm, por s’ka qenë pjesë e sherrit. Në sherr janë përfshirë Gaxhaj dhe ai që është identifikuar si komando”, ka thënë avokati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat