Vrasja e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames. Mbeten në burg Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri dhe Indrit Rusi

Shqipëria

Vrasja e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames. Mbeten në burg Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri dhe Indrit Rusi

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 11:38
Emiljano Shullazi

Gjykata Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg dhënë nga shkalla e parë për Indrit Rusin, Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin të dyshuar për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005.

Avokati i Lul Berishës dhe Indrit Rusit, Detar Hysi, shprehet se rezervon të drejtën për të folur me median për shkak të sekretit hetimor.

Ndërkohë, për këtë ngjarje në Kosovë është arrestuar edhe Indrit Taullau, ndërsa në Dubai si i dyshuar në këto ngjarje u arrestua Plarent Dervishaj.

Vrasjet për të cilat u krye hetimi kanë ndodhur në datën 26.02.2005, ku rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është qëlluar me armë zjarri Klodjan Saliu, i cili po lëvizte me makinën e tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Nga këto goditje me armë zjarri ka mbetur i vdekur shtetasi Klodjan Saliu, si dhe është plagosur shtetasi O. Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.

Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, ku rreth orës 23:50, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen shtetasit Vajdin Lame dhe A. Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima Vajdin Lame, me adresë Kulla Nr.2, Lagja nr.9, rruga “Dervish Hima”, Tiranë.

Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Por Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rifilloi hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm, ndërsa sot gjykata vendosi të lihen në burg.

Pas rifillimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale. Më tej Prokuroria ju drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve.

Mbi ta rëndojnë veprat penale si “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat