Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e djeshëm në fshatin Vajkan të Fierit, ku një 50-vjeçar është gjetur i vdekur në anë të rrugës.
Policia njoftoi se shtetasi Gëzim Gjyrdyku është gjetur pa shenja jete në një kanal në anë të rrugës. Sipas burimeve nga uniformat blu, viktima, baba i tre fëmijëve, dyshohet të jetë goditur gjatë natës nga një automjet, i cili e ka spostuar nga rruga duke e hedhur në kanal. Viktima ka qenë duke udhëtuar me biçikletë dhe duke qenë se binte shi, ai ka pasur të hapur edhe çadrën. Mungesa e ndriçimit duket se ka bërë që mjeti ta godasë nga mbrapa dhe të largohet më pas, duke mos e shoqëruar për t’i dhënë ndihmën e parë. Kanë qenë familjarët e të ndjerit ata që kanë nisur ta kërkojnë gjithë natën. Mësohet se 50-vjeçari ka qenë roje në një kompani private. Ditën e djeshme, ai ka qenë në punë, por në mbrëmje vonë nuk është kthyer në shtëpi, siç bënte gjithmonë.
FAMILJARËT
Të afërmit e viktimës janë shprehur për mediat se gjatë mbrëmjes së të martës i kanë rënë celularit të tij, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kaq ka mjaftuar dhe ata janë alarmuar të gjithë, duke dalë në rrugë për ta kërkuar. Por, mungesa e ndriçimit ka bërë që kërkimet e tyre të mos jepnin rezultat. Trupi i pajetë i 50-vjeçarit është gjetur orët e para të mëngjesit të djeshëm.
“Nuk dimë se si ka ndodhur, por jemi të sigurt që familjari ynë ka vuajtur duke dhënë shpirt. Po të kishte qenë i përgjegjshëm drejtuesi i mjetit, mirë që e përplasi, por ta çonte në spital. Mbase do kishte shpëtuar. Nata ishte e ftohtë, shi binte, kushedi sa ka vuajtur që i ka dalë shpirti. Ky është një krim i rëndë, i dyfishtë, nga drejtuesi i mjetit, prandaj ta gjejnë dhe ta dënojnë për humbjen e një jete në mënyrën më të keqe”, ka thënë një nga familjarët e 50-vjeçarit të ndjerë.
Ndërkohë, Policia ende nuk e ka identifikuar autorin e aksidentit me pasojë vdekjen e një personi. Sipas bluve, ende po hetohet dhe po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
FAMILJA E VIKTIMËS
Familja e viktimës mësohet se jeton në kushte të vështira ekonomike. Ai kishte tre fëmijë, më i madhi 16 vjeç, dhe i vetmi që punonte me një page mujore fare simbolike ishte 50-vjeçari Gjyrdyku. Aksidentet në këtë aks rrugor kanë qenë të shumta për shkak edhe të mungesës së ndriçimit dhe shpejtësisë së automjeteve. Por në të njëjtën kohë është kërkuar disa herë që të ndërtohen nënkalime, pasi të gjithë banorët e kësaj zone qarkullojnë shpesh në këtë segment rrugor për të kryer punët dhe shërbimet e përditshme për familjet e tyre.