Mandati i tretë/ Rama rivendos ekuilibrat mes PS dhe Rilindjes! Ja postet e reja që marrin Anastas Angjeli dhe Ilir Beqaj

Shqipëria

Mandati i tretë/ Rama rivendos ekuilibrat mes PS dhe Rilindjes! Ja postet e reja që marrin Anastas Angjeli dhe Ilir Beqaj

Më: 19 janar 2021 Në ora: 16:13
Anastas Angjeli dhe Ilir Beqaj

Kryeministri Rama bëri dje lëvizjet e radhës në funksion të fitores së mandatit të tretë qeverisës, ku tenton të kapë edhe një rekord.

Për të rivendosur një ekuilibër brenda ekipit të tij, ekzekutiv dhe legjislativ, ku të gjithë po përpiqen për të motivuar dhe garantuar sa më shumë vota, kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, propozoi deputetët Anastas Angjeli që të marrë drejtimin e Komisionit Parlamentar të Financave e Ekonomisë dhe Ilir Beqja, drejtimin e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.

Propozimet u miratuan si në Grupin Parlamentar, ashtu dhe në seancën plenare të pasdites. Këto lëvizje tentojnë të forcojnë bashkëpunimin brenda Partisë Socialiste, mes Rilindjes dhe socialistëve në funksion të maksimalizimit të votave të 25 prillit.

Kryeministri Rama është akuzuar vazhdimisht se ka lënë “pa punë” socialistët, duke mbështetur dhe promovuar rilindasit dhe pse ishin socialistët që e votuan atë për 11 vjet në krye të Bashkisë së Tiranës, por dhe për 7 vite e gjysmë në krye të qeverisë. Në Partinë Socialiste rrymat janë të dukshme, ku socialistët e vjetër i hapën shtëpinë prurjeve të hershme të Ramës, menjëherë pas marrjes së drejtimit të Partisë në 2005- ën, por dhe rilindasve të rinj, atyre që iu bashkuan maxhorancës pas ardhjes së saj në pushtet dhe pse nuk kishin asnjë lidhje më parë me Partinë Socialiste.

Këto rryma kanë krijuar edhe ‘viktimat’ e veta, ndërkohë që sot Partia Socialiste ndodhet para konsumimit të saj në dy mandate qeverisëse dhe objektivit për një mandat të tretë në një terren ku opozita po kërkon çdo aleancë për ta larguar atë nga pushteti.

Në këtë situatë politike, Kryeministri Rama po kërkon të motivojë dhe vlerësojë figurat tradicionale të Partisë Socialiste, siç është rasti i deputetit Angjeli. Pas emërimit të rilindases Milva Ikonomi në krye të Ministrisë së Bujqësisë dhe Niko Peleshit, një mezo-socialist dhe mezo-rilindas si ministër të Mbrojtjes, në mënyrë ekuilibruese Rama emëroi Angjelin në krye të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe Ilir Beqjen, në krye të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.

Ilir Beqja, i cili është drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Shkodrës, ishministër i Shëndetësisë, bashkë me Ditmir Bushatin, Damian Gjiknurin dhe të tjerë ishin ata që krijuan profilin e së majtës së re dhe kontribuuan në 2013-ën ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet. Por rasti i deputetit Anasatas Angjeli është pika lidhëse mes Partisë Socialiste dhe Rilindjes aktuale, për shkak të investimit të tij te socialistët që nga themelimi i saj. Anastas Angjeli, profesor doktor në fushën e ekonomisë dhe të financës, ka një kontribut të shquar, veçanërisht në atë të financave publike dhe të reformave strukturore në ekonomi. Prej vitit 1982 e më pas ka kontribuar në profesoratin e Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës e më tej, pas vitit 1990 me angazhimet e tij në politikë.

Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për disa mandate që nga 1991 e në vazhdim, nënkryetar dhe kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Ministër i Ekonomisë, Ministër i Financave dhe Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. Ai ka qenë anëtar i Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, 1998. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve. Është afirmuar si një nga ekonomistët më të shquar, veçanërisht në aplikimin e reformave të ekonomisë së tregut në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat