Marrëveshja me PD/ Mediu pa doreza: S’i bindem një interesi që shkatërron PR-në

Shqipëria

Marrëveshja me PD/ Mediu pa doreza: S’i bindem një interesi që shkatërron PR-në

Më: 19 janar 2021 Në ora: 18:04
Fatmir Mediu

Në një intervistë për Ora News, kryetari I Partisë Republikane Fatmir Mediu ka komentuar atë çfarë po ndodh në kampin opozitar para zgjedhjeve të 25 prillit dhe negociatat me PD sa i përket mënyrës së garimit në këto zgjedhje.

Fillimisht, Mediu u ndal te qeverisja e kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij, nuk ka lënë gjë pa shkatërruar në Shqipëri.

“Edi Ramës nuk i ka mbetur më gjë pa shkatërruar në këtë vend. Ka shkatërruar shtetin, ka shkatërruar institucionet. Ka suportuar korrupsionin dhe krimit, të cilat I janë mbivendosur shtetit, pushtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Po deformon boshtin euro-atlantik të Shqipërisë për shkak të interesave të tij preferenciale. Është kundërshtar I hapur në mënyra të ndryshme karshi BE. Për 7 vjet, për fat të keq një qeverisje që nuk ka plotësuar asnjë kusht.

Sa i përket marrëdhënie në kampin opozitar, marrëveshjes me PD-në dhe mënyra si duhet vepruar për zgjedhjet e 25 Prillit, Mediu u shpreh se, është e rëndësishme të kemi një marrëdhënie të qartë opozitare por edhe të dimë se kush janë njerëzit në terren.

“Është e rëndësishme të kemi një marrëdhënie të qartë opozitare lart por është shumë e rëndësishme se kush janë njerëzit poshtë në qendrat e votimit, kush janë kandidatët, kush janë figurat mbështetëse të partive opozitare, si do integrohen strukturat opozitare dhe si do bëhen kombinimet e koalicionin tjetër opozitar që jo vetëm të marrim maksimumin e votave, por maksimumin e deputetëve.

Pse nuk kemi ende një marrëveshje PD-PR?

Mediu: Unë nuk kam asnjë problem me zotin Basha. Përveç se jemi kolegë, ai është lideri I opozitës, unë jam pjesë e saj për aq sa më takon, kemi kontakt të vazhdueshëm, komunikim të vazhdueshëm. Dhe nuk kam asgjë personale, në asnjë aspekt.

Çështja është ajo që thatë ju, një aleancë politike ndërmjet dy palëve. Dhe aleanca është politike kur të dyja palët punojnë së bashku për të maksimizuar votën. Dhe unë do jem çik konkret te ju, më shumë se në çdo vend tjetër deri më sot.

Nga një analizë duket se PS tenton të ruajë mazhorancën duke tentuar të ruajë votat në çdo qark. Ose duke e zbritur në një minimum që nuk e cënon atë.  Dhe nga analiza ime qark më qark, jo vetëm votat e PR-së por edhe votat e aleatëve të tjerë janë të domosdoshme. Dhe pyetja është: si do bëhet e mundur që votat e aleatëve të tjerë të jenë vota funksionale? Nëse marrëveshja do të jetë Basha-Mediu kjo do të thotë se strukturat e PR do të jenë totalisht passive dhe ne e kemi parë këtë në vitin 2017. Dhe ju e keni parë. Unë kam qenë aktiv dhe në zonën e Kavajës dhe në zonën e Vorës, dhe në Kamzë. Kudo në Shqipëri por prapë aktivizimi I strukturave ishte I pamundur.

Sepse u përjashtuan strukturat dhe u morën vetëm me strukturat e PD. Dhe arritëm atë rezultat në vitin 2017.

Çfarë po ndodh me opozitën?

A kanë vlerë individët e partive politike në Kavajë, Fier, Tiranë, Shkodër, në të gjithë Shqipërinë? Apo është thjesht një marrëdhënie e lidershipit? PD është një parti e strukturuar mire dhe e di në çdo qendër votimi kush janë votuesit e saj, kush janë të lëkundurit dhe kush janë aleatët. Dhe për ti thither votat e aleatëve në çdo qendër votimi mundësisht duhet të ketë edhe përfaqësuesit e aleatëve që të kombinojë dhe në mënyrë që të garantojë votat e më pas të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Thonë, po i bën presion se po nxjerr kandidatë?! Nëse unë në Shkodër nuk do të kem të paktën 11 kandidatë aktivë unë do ta kem të vështirë që të marr ato votat që PR I ka. Edhe në 2013, PD e ka marrë mandatin se kishte 40 vota më shumë se PR.

Unë nuk mund ti bindem një interesi që shkatërron Partinë Republikane. Nuk është detyra e Fatmir Mediut që të shkatërrojë PR. Detyra e Fatmir Mediut është që çdo votë e republikanëve të kthehet në vote për koalicionin opozitar. Dhe unë të shkojë I verbër drejt kësaj marrëveshjeje do të ishte diçka e pafajshme për raportet që unë kam krijuar prej 30 vitesh në opozitë. Sepse do ti bëja një dëm të madh jo vetëm PR por edhe PD dhe koalicionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat