Akuzat për lejet e ndërtimit/ Erion Veliaj padit Grida Dumën

Shqipëria

Akuzat për lejet e ndërtimit/ Erion Veliaj padit Grida Dumën

Më: 23 janar 2021 Në ora: 15:51
Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj paralajmëroi padi në gjykatë për shpifje për ish-deputeten e PD-së Grida Duma, pas akuzave të bëra nga kjo e fundit në media.

Në reagim, Veliaj thekson se asnjë leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës nuk është ndikuar nga grupe interesash.

Në deklaratë i bëhet thirrje Prokurorisë që të hetojë cilindo që tenton të flasë në emër të Bashkisë së Tiranës apo të çdo institucioni tjetër lidhur me histori të tilla.

“Po ndjek përmes shtypit, se si dëshirat e disa mafiozëve italianë për të bërë plane biznesi për Shqipërinë dhe dëshirat e PD-së që këto plane të jenë të vërteta, na janë bashkuar në gojën e një trafikanteje të njohur apartamentesh. Kushdo që ndërton në Bashkinë e Tiranës ka një emër dhe mbiemër, kurse lejet e ndërtimit kanë dosje transparente për mënyrën e financimit. Dëshirat e mafias italiane për t’u futur në industrinë e ndërtimit janë dëshira të tyre dhe të PD-së. Ne nuk ndalojmë dëshira, por veprime konkrete. E vetmja gjë e paverifikuar për ne, mbetet se si Grida Duma u bë investitore pallatesh vite më parë, duke përfunduar në gjyqe për mashtrime dhe duke lënë burgjeve partnerët e saj në biznes. I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë cilindo që tenton të flasë në emër të Bashkisë së Tiranës apo të çdo institucioni tjetër lidhur me histori të tilla. Ndërkohë, Grida Duma do të duhet ta provojë në gjykatë shpifjen e saj të radhës, njësoj si 7 herët e tjera kur zyrtarët e PD-së janë gjykuar e shpallur si shpifës nga drejtësia”, thuhet në reagimin e Kryebashkiakut Veliaj.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka reaguar sot pas publikimit në media të disa përgjimeve të antimafias italiane.

Në deklaratën e saj nga selia blu, ish-deputetja flet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, të cilin e akuzon: “Erion Veliaj në biznesin e mafias italiane me 20% rryshfet”.

“Këto ditë antimafia italiane shkatërroi një rrjet me 50 italianë dhe shqiptarë; mafiozë, biznesmenë, politikanë, që përbëjnë atë që njihet sot, edhe në Tiranë, si borgjezia mafioze. Në përgjimet e njeriut kyç të Ndraghetës, biznesmenit Gallo, i cili bën lidhjen mes biznesit, mafias dhe politikës, konfirmohet se pjesa që merr Erion Veliaj nga lejet e ndërtimit apo pushteti i Edi Ramës nga koncesionet dhe tenderat është 20%”, tha Grida Duma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat