Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi i është drejtuar me një letër Komisionit të Venecias për të marrë ekspertizë në lidhje me ligjin për financimin e partive politike në kuadër të Reformës Zgjedhore.
Letra vjen pas dakordësisë së arritur mes dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm të të Reformës Zgjedhore, që çështja t’i përcillet Komisionit të Venecias përmes Kuvendit, me qëllim marrjen e një vlerësimi ligjor.
Në letër, kreu i Kuvendit ka ftuar ekspertët e Venecias për një vizitë pune në Komision për të diskutuar mbi ecurinë e projekt ligjit për financimin e partive politike dhe reflektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Kujtojmë se Partia Demokratike ka paraqitur tashmë propozimet e saj, duke kërkuar që Shqipëria të kthehet në një zonë të vetme zgjedhore, me sistem proporcional kombëtar dhe lista 100% të hapura.
Demokratët kërkojnë gjithashtu lista të hapura për këshilltarët bashkiakë, barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e KQZ-së, rishikimin e votës së diasporës dhe vendosjen e një pragu zgjedhor që nuk penalizon partitë e vogla. PD propozon edhe balotazh zgjedhor në kushtet e një qeverie teknike, ndërsa kundërshton votimin dhe numërimin elektronik.