Deputetja Marjana Koçeku ka deklaruar se do të kandidojë sërish për deputete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një intervistë për News24, ajo tha se ende nuk ka vendosur nëse do të garojë si e pavarur, por shtoi se kandidimi i saj do të jetë larg partive tradicionale.
“Do të kandidoj sërish si deputete. Si e pavarur apo jo mbetet për t’u parë. Besoj se politika nuk lejon me bërë plane, por e sigurt do të kandidoj si deputete dhe larg partive tradicionale dhe forumeve që kemi parë deri tani”, tha ajo.
E pyetur për mundësinë e krijimit të një partie të re, Koçeku u shpreh se është ende herët për të bërë plane konkrete, duke theksuar se mbetet e hapur ndaj metodave dhe formave të reja sa më demokratike të përfaqësimit politik.
“Besoj se ka kohë mjaftueshëm edhe për të kuptuar kontekstin social dhe politik të vendit. Politika nuk lejon shumë për të bërë plane afatgjata por qëndroj e hapur ndaj metodave dhe mënyrave të reja sa më demokratike për atë që kërkon vendi jonë. “, shtoi ajo.
E pyetur nëse studentët duhet të dalin me një përfaqësim politik nga protesta, ajo shtoi:
“Nuk duhet me pas frikë nga politika dhe formalizimi. I inkurajoj protestuesit që të formalizohen dhe të shtrojnë rrugën drejt përfaqësimit në Kuvend. Besoj se është energjia e duhur dhe një formim shumë pozitiv për t’i çuar vendit një përfaqësi shumë më të kulturuar dhe më të denjë politike.”