Sektori i ndërtimit i paprekur nga kriza ekonomike/ Pritet të zgjerohet si aktivitet në vitin 2021

Shqipëria

Sektori i ndërtimit i paprekur nga kriza ekonomike/ Pritet të zgjerohet si aktivitet në vitin 2021

Më: 24 janar 2021 Në ora: 08:28
Ilustrim

Në vitin që lamë pas, pavarësisht se pandemia përkeqësoi ekonominë e Shqipërisë, sektori i ndërtimit ishte një ndër ata që nuk u prek nga kriza. Tirana tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi dhe aktiviteti i ndërtuesve pritet të jetë i garantuar edhe për disa vite të tjera.

Në 2020-n, ndërtimi u tkurr me 11.6% me bazë vjetore në tremujorin e parë, i ndikuar më shumë nga tërmeti. Më pas, sektori e mori veten, duke u zgjeruar me 2.8% në tremujorin e dytë dhe gati 17% në të tretin, duke u bërë një faktor kryesor në rritjen ekonomike për këtë periudhë.

Aktiviteti i sektorit të ndërtimit pritet të zgjerohet edhe më shumë për vitin 2021. Parashikimet e ndërtuesve janë optimiste. Hajredin Fratari, ndërtues, shpjegon se vazhdimi i punimeve për projektet e nisura garanton punë për disa vite rresht për kompanitë.

“Në Tiranë janë hapur shumë kantiere ndërtimi për zona rezidenciale. Në shumicën prej tyre ka përfunduar faza e parë e punimeve, që përbën 20% të totalit të volumit të projektit. Pra llogaria është shumë e thjeshtë. Përfundimi i punimeve do të kërkojë edhe 2-3 vite kohë. Po ashtu në Tirana janë të shumta kullat (ndërtime shumëkatëshe) që kanë nisur dhe pritet të përfundojnë. Nga realizmi i këtyre projekteve aktiviteti i sektorit pritet të rritet edhe për këtë vit”, pohon Fratari.

Ndërtuesit presin që sektori të marrë hov dhe nga rindërtimi, planet e të cilit u shtynë për këtë vit për shkak të pandemisë, por dhe projektet infastrukturore në këtë vit zgjedhor.

Prodhimi i mobilieve do të rritet 20%

Prodhimi i mobilieve ishte nga të paktët që më 2020, përgjithësisht nuk u prek nga pandemia. Pas përfundimit të karantinës, me hapjen e ekonomisë, operatorët kryesorë të tregut pohuan se kërkesa për mobilie vërshoi dhe sektori arriti të rikuperonte menjëherë humbjet nga izolimi i COVID-19. Ilir Linza, administrator i FPM (Fabrika e Prodhimit të Mobilieve), thotë për “Monitor” se shitjet e gjithë sektorit pritet të zgjerohen edhe për këtë vit.

Ecuria e sektorit në tërësi të mobilieve për 2021 pritet të jetë pozitive dhe operatorët e tregut parashikojnë një rritje mesatare prej rreth 20%. Arsyeja është rritja e kërkesës në tregun vendas dhe eksportin e mobilieve, e cila do të vazhdojë të zgjerohet edhe për këtë vit”. Shitjet e kompanisë për 2020, pavarësisht krizës së COVID-19, ishin 10% më shumë se në 2019. Arsyet për rritjen e xhiros, sipas përfaqësuesit të FPM, ishin hapja e dyqanit të katërt në Shkodër (në vitin 2019, kompania kishte 3 dyqane, në Vlorë, Elbasan dhe Tiranë) dhe shtimi i klientëve që kryejnë blerje të rregullta.

Edhe për kompaninë “Trin mobileri”, parashikimet për shitjet në 2021 janë optimiste. Vjet në pandemi, shitjet ishin 10% më tepër se në 2019 edhe për këtë sipërmarrje. “Arsyet e rritjes janë zgjerimi i sektorit të ndërtimit, ndërsa individët me të ardhura mesatare dhe të larta nuk i anuluan kërkesat e planifikuara për mobilim shtëpie apo ambiente shërbimesh për biznes. Shitjet në treg të kompanisë janë të ndara: 90% nga prodhimi dhe 10% nga importi”, siç shpjegoi më herët për “Monitor”, inxhinieri i kompanisë, Dritan Cacaj.

Edhe kompanitë e tregtimit të pajisjeve hidrosanitare dhe të pllakave ishin ndër të paktët operatorë që në 2020-n përjetuan periudhën e artë të shitjeve. Kompanitë kryesore në Shqipëri “Delta” dhe “Brunes”, deri në fund të tetorit, raportuan rritje të kërkesës krahasuar me 2019-n.

Zgjerimi i hidrosanitareve arriti deri 30% më shumë se në 2019-n, siç ishte rasti i operatorit “Billa”, ndërsa shitja e pllakave mbeti e pandryshuar. Qasja e kësaj kompanie është e lartë për 2021, me rritje rreth 22% krahasuar me vitin e kaluar. Shitjet e sektorit të pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave në 2020-n u forcuan nga konsumatori familjar, i cili nuk i ndërpreu shpenzimet për pajisje në raste dëmtimesh apo rinovimi.

Për kompani të tjera, si “Sinani”, që tregton produkte në zonat rurale, kërkesa ra 30% krahasuar me 2019, për shkak të moskthimit të emigrantëve në Shqipëri nga bllokimi i lëvizjeve me jashtë (kjo tendencë në 2020, u shfaq më tepër në rrethe dhe zonat rurale). Vazhdimi i investimeve në hotele e nxiti kërkesën për pajisjet hidrosanitare dhe pllaka rreth 17% në pandemi. Ndërsa kleringu mbeti forma kryesore e blerjeve për 80% të ndërtuesve.

Vit i mirë për sektorin e tullave, zgjerohen kapacitetet prodhuese

Ndërtimi ishte i vetmi që nuk i ndjeu efektet e pandemisë në nivelet që vuajtën sektorët e tjerë të ekonomisë. Përkundrazi, kantieret vijuan të ishin aktivë edhe në muajt e kufizimeve. Situata ka ndikuar pozitivisht tek industritë e lidhura me të, siç është edhe ai i prodhimit të tullave. Ilda Baraj, nga kompania “KID-ALB”, pohon se njëfarë efekti e ka pasur edhe procesi i rindërtimit, por ai më shumë u ndie në 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar, kur edhe pati një aktizivim të projekteve. Efekti më dominues pritet këtë vit. Por si ka qenë prodhimi dhe kërkesa për sektorin e tullave?

“Sa i takon prodhimit, kemi qenë në kapacitet 100% gjatë gjithë kohës. Edhe gjatë shpërthimit të pandemisë, në muajt e parë, pavarësisht se ishte e vështirë, arritëm të merrnim leje dhe të mbanim prodhimin me tre turne, duke respektuar masat e kërkuara.

Sa i takon pjesës financiare, fillimi i vitit 2020 ishte pak i ngadaltë, ndërkohë që, shitjet në kohën e pandemisë dhe kufizimeve pësuan një rënie me 31.5%. Kërkesa u rimëkëmb më vonë, por diferenca mes vitit 2019 dhe atij 2020 është 15% ulje. U vu re rritje e shitjeve për disa artikuj me 15-20% nga muaji qershor kur u hoqën kufizimet, e cila vazhdon edhe sot. Për ta ilustruar mund të them se në 6-mujorin e parë, ne shisnim 65% të prodhimit, sot shesim 110% të prodhimit ditor. Për ne si kompani, 2020-a mund të cilësohet një vit i suksesshëm por ka pasur edhe problematikat e tij.

Nuk duhet të harrohet rritja progresive e çmimeve që kanë shënuar lëndët bazë, sidomos energjia dhe koksi, pasi argjilën e kemi tonën. Këto kanë sjellë edhe rritje të kostos së prodhimit për njësi. Ne e kemi ngritur si shqetësim edhe pranë shoqatave të biznesit, që të shihet hapësira për të bërë ndërhyrje në disa elemente, në mënyrë që produkti final të dalë me çmim konkurrues. Dy projektligje të diskutuara lidhen me akcizën, por ende nuk ka diçka të finalizuar” – pohon Baraj.

Lidhur me 2021, ajo nënvizon se parashikohet të jetë një vit i mirë, pasi në funksion pritet të hyjë edhe një fabrikë e re me kapacitet prodhues të konsiderueshëm dhe teknologji moderne, duke iu përgjigjur kërkesës që aktualisht kalon prodhimit ditor.

“Sa i takon vitit 2021, ne parashikojmë rritje si nga ana e vëllimit në prodhim, ashtu edhe në shitje. Kemi një rritje të lehtë të çmimit për njësi, si efekt i energjisë dhe koksit. Aktualisht po shesim më shumë se prodhimi ditor. Duke pasur parasysh dinamikën e zhvillimeve në vend, kemi investuar në një fabrikë të re, që hyn në prodhim së shpejti.

Gjithçka ka përfunduar dhe mbeten pak gjëra për ta vënë në funksion të plotë e për të dalë në prodhim. Është me një linjë moderne dhe teknologji që edhe në Ballkan nuk haset, ku linja e prodhimit do të bëhet me robotë” – shprehet Baraj./Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat