Kandidatët e inkriminuar, Bushati: Rama kërkon të ruajë modelin, Haxhiu: Përgjegjësi e prokurorisë jo e liderit

Shqipëria

Kandidatët e inkriminuar, Bushati: Rama kërkon të ruajë modelin, Haxhiu: Përgjegjësi e prokurorisë jo e liderit

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 23:09
Andi Bushati

Analistët Andi Bushati dhe Baton Haxhiu diskutuan në emisionin “Shock” komentin e kryeministrit Edi Rama ndaj apelit të ambasadores së Shteteve të Bashkuara Yuri Kim për të mos kandiduar për deputetë persona të inkriminuar.

Për Bushatin, komenti i kryeministrit Edi Rama ishte një alibi e radhës për të vijuar me të njëjtin model kandidimi, që i ofron publikut të inkriminuar me synimin për të vjedhur vota.

“Pyetja që duhet bërë është pse ia ka ofruar publikut shqiptar Elvis Rroshin, Mark Frrokun, [Armando] Prengën, [Arben] Ndokën, si doktorë të shquar?! Si shkencëtarë?! Jo, pikërisht për të shkuarën kriminale,” – tha Bushati.

Analisti Baton Haxhiu replikoi duke thënë se në përgjithësi filtrin duhet ta bënte prokuroria dhe jo partia. Sipas tij nuk duhet t’i kërkohet përgjegjësia udhëheqësit politik për listat e kandidimit.

Bushati ndërhyri me ironi duke i kërkuar Haxhiut të përmendë “një doktor shkencash të Rilindjes” nga deputetët që kandidoi këto vite. Haxhiu iu shmang ndërhyrjes dhe e zgjeroi temën e diskutimit me përgjithësimin se prej vitit 1990 shqiptarët e nisën shumë vështirë procesin e demokratizimit dhe shoqërisë kapitaliste.

“Gabimet e viteve 90’ nuk mund të merren si gabime kriminale, ato kanë ardhur nga varfëria nga gjëra që s’i kanë përjetuar më parë,” – u shpreh Haxhiu, dukshëm në padijeni të akuzave të përmendura ndaj ish-deputetëve të shumicës socialiste.

“Unë e pranoj që mund të ketë një rastësi, që të të ndodhë një herë, por kur i ke në një mandat ke dhe Ndokën dhe Prengën dhe Kajmakun dhe Valdrinin dhe Elvis Rroshin, kjo s’është më rastësi, por filozofi kriminale e promovimit të krimit,” – replikoi Bushati duke nënkuptuar se të gjithë këta persona të promovuar nga Partia Socialiste kishin të shkuar të inkriminuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat