Halit Valteri drejt PS-së? Deputeti reagon pas takimit me Spiropalin në Kamzë

Shqipëria

Halit Valteri drejt PS-së? Deputeti reagon pas takimit me Spiropalin në Kamzë

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 12:36
Elisa Spiropali dhe Halit Valteri

Deputeti i opozitës parlamentare, Halit Valteri është shfaqur në krah të ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, gjatë një takimi të zhvilluar me banorët në zonën e Bathores.

“Në Bathore pritëm ministren Spiropali si e deleguar e qeverisë për Bashkinë Kamëz. Me ftesën time erdhi për të dëgjuar problemet e kësaj zone.

Një bashkëbisedim me banorë ku u ngritën një sërë shqetësimesh dhe problemesh që ka komuniteti. Rruga jonë është e qartë, t’i kërkojmë llogari çdokujt që drejton dhe pretendon të qeverisë”, shkruan Valteri në rrjetet sociale.

I pyetur nga “Gazeta Shqip” nëse do të kandidojë për Partinë Socialiste, Valteri u shpreh: “Jo, thjesht ishte një takim i kërkuar nga banorët e komunitetit për një problem”.

Disa ditë më parë deputeti deklaroi se nuk e kishte vendosur me cilën parti do kandidonte, duke theksuar se kishte pasur oferta nga të gjitha palët politike.

"Unë do të kandidoj në Qarkun e Tiranës, një njësinë nr. 7. Kam filluar punën në Bashkinë Kamëz. Është një zonë me probleme të shumta sociale edhe pse është bërë një vjedhje 30-vjeçare qoftë nga pushteti vendor dhe ai qendror.

Njerëzit torturohen se i kërcënojnë me ndihmën ekonomike, vendet e punës, energjia elektrike etj.  Për momentin nuk e kam ndarë ende se në cilën parti do të kandidoj. Unë vetë e kam krijuar Lëvizjen për Ndryshim me të tjerët, por ende nuk e kam vendosur. Nëse do të gjej gjuhën e duhur do të siguroj mandatin në Qarkun e Tiranës. Nuk është problemi të gjesh një forcë politike për të kandiduar. Kam pasur oferta nga të gjithë", është shprehur më herët Valteri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat