Komisioni për “Dick Marty”, Manja: Kanë ardhur dokumentet sekrete nga SHISH dhe Ministria e Jashtme, do shqyrtohen

Shqipëria

Komisioni për “Dick Marty”, Manja: Kanë ardhur dokumentet sekrete nga SHISH dhe Ministria e Jashtme, do shqyrtohen

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 11:58
Ulsi Manja

Ka zgjatur vetëm pak minuta mbledhja e komisionit të Posaçëm për informimin në lidhje me gjetjet për raportin e ‘Dick Marty’, ku janë regjistruar procesverbalet dhe dokumentet e ardhura nga institucionet e ndryshme që ky komision ka kërkuar informacion. Kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja tha se kanë ardhur dy raporte sekrete nga SHISH dhe ministria e Jashtme dhe se do të shqyrtohen, ndërsa tha se anëtarët e këtij komisioni janë pajisur me certifikatën e sigurisë për të pasur akses në raportet sekrete.

“Janë depozituar 2 dokumente sekrete nga SHISH dhe Ministria e Jashtme. Është dorëzuar dokumentacioni i kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme. Kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Jashtme”, tha Manja.

Sekretarja e Komsionit të Posaçëm, Klodilda Bushka tha se në fakt kanë ardhur dokumente voluminoz që do të kërkojë kohë dhe punë në shqyrtimin e tyre.

'Të gjithë institucionet janë përgjigjur dhe duhet kohë për t’u njohur me aktet dhe materialet', tha Bushka

Ndërsa zv.kryetari i komisionit Enver Roshi ka kërkuar seancë dëgjimore me ish komandantët shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës për të dëshmuar në mënyrë që të ndihmojnë në sqarimin e çështjes.

“Di që ish komandantë dhe gjeneralët shqiptarë kanë qenë në luftën e Kosovës dhe se ato mund të vijnë të dëshmojnë në këtë komision për të ndihmuar më tej me sqarimin e çështjes”, tha Roshi

Ky komision është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të Dick Marty për krimet e luftës në Kosovë, që implikonte UÇK-në por edhe shtëpinë e verdhë në Mat të Shqipërisë ku pretendonte se në të kryhej trafik organesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat