Kërkon votën në Elbasan, Hajdari: Nuk do heshtim për bandat kriminale, njerëzit duan alternativë të re

Shqipëria

Kërkon votën në Elbasan, Hajdari: Nuk do heshtim për bandat kriminale, njerëzit duan alternativë të re

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 15:15
Rudina Hajdari

Rudina Hajdari kërkon votën në qarkun e Elbasanit, jo vetëm për të sjellë ndryshim në këtë qark , por edhe për të luftuar një fenomen jo pak problematik, kriminalitetin në nivele të larta. Në një intervistë për Report tv, Hajdari siguron se nuk do të heshtë për bandat kriminale, ashtu si kanë bërë qeveritë e mëparshme.

“Situata duhet të ndryshojë, sidomos kur bëhet fjalë për rrezikshmërinë nga bandat kriminale. Duhet të punojmë që ky fenomen të luftohet, që Elbasani mos damkoset si një qytet i rrezikshëm. Deputetët e parlamentit shqiptar nuk kanë folur për këto banda që ekzistojnë në qarkun e Elbasanit. Janë 4 banda të veshura me pushtet, qoftë nga forca të ndryshme politike dhe që mbrohen me një kod të heshtjes. Po të flasësh me banorët atje ata e dinë se kush janë emrat dhe mbiemrat dhe mënyrën si operojnë. Po hedhim një hap përpara duke i evidentuar si probleme dhe më pas duke shtyrë pushtetin dhe çdo kënd qoftë dhe bashkëpunimin tonë me ndërkombëtarët”, shprehet Hajdari.

Sipas Rudina Hajdarit, në qarkun e Elbasanit mungojnë kushtet elementare për shumë banorë. Por gjithë këto dështime të qeverive të mëparshme, Hajdari i sheh në favorin e saj, për të bindur njerëzit se duhet një alternativë e re.

“Ata kanë dështuar, dhe qeveri pas qeverie nuk kanë përmbushur premtimet që kanë bërë. Kjo më jep goxha avantazh për të krijuar një profil sa më të besueshëm, që banorët të mbështesin një alternativë të re dhe të kenë përfaqësim të duhur në Kuvend. Nëse votojnë të njëjtë njerëz atëherë do përfundojnë duke braktisur qytete dhe fshatrat”, tha ndër të tjera Hajdari.

Në 25 prill, Rudina Hadjari do të jetë në garë në Elbasan me nr 2 të PS, Taulant Balla, kryetaren e LSI Monika Kryemadhi si dhe ish-deputetin e PD, Gazment Bardhi. Ndonëse gara është e fortë, Hajdari beson në dëshirën e madhe të banorëve të qarkut Elbasan për të pasur një alternativë të re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat