Masat e reja anti-COVID, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar orën 20:00 për kufizimin e lëvizjes

Shqipëria

Masat e reja anti-COVID, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar orën 20:00 për kufizimin e lëvizjes

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 21:59
Komiteti Teknik i Eksperteve ne nje mbledhje te meparshme

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar orën 20:00 për kufizimin e lëvizjes, orar i cili pritet të konfirmohet ditën e nesërme në mbledhjen që është paralajmëruar të zhvillohet lidhur me masat e reja shtrënguese.

Lidhur me këtë vendim edhe shoqatës së bareve e restoranteve, iu është dhënë një njoftim verbal që nga nesër te mbyllen në orën 20:00. Por, nga ana tjetër zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, e pyetur mbi këtë propozin në emisionin "Repolitix"  nuk e ka pohuar lajmin por as nuk e ka mohuar, duke thënë se vendimi do të merret nesër në mbledhje.

Këto masa të reja vijnë në një kohë që kemi rritje të shfirave me COVID, të cilat sot kanë shënuar rekordin më të lartë që nga fillimi i pandemisë. Nga 4562 testime, 1239 persona kanë rezultuar të infektuar me COVID dhe 16 pacientë kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në vendin tonë, ishte ky bilanci i raportuar nga Ministria e Shëndetësisë sot. Ndërkaq Qendra e Urgjencës Kombëtare Mjekësore tha se ka një rritje të numrit të të infektuarve në moshat e 15-24 dhe 25-35 vjeç, ndërsa ministria ka apeluar vazhdimisht qytetarët të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të respektojnë masat anti-COVID.

Ndryshimi i fashës orare të lëvizjes u paralajmërua edhe nga kryeministri Edi Rama i cili tha se do të ketë shtrëngim të masave. Në një kohë kur rastet ditore prej më se një jave janë rreth 1000, Rama tha se do të ketë përshkallëzim të masave, të cilat priten të konfirmohen nesër nga mbledhja e ekspertëve të shëndetësisë.

Më herët edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se ka dyshime që variantet e reja të COVID kanë mbërritur në Shqipëri dhe për këtë ka dhënë disa argumente se si ka lindur ky dyshim. Këto variante të reja dyshohet se mund të kenë prekur kryesisht të rinjtë, sqaroi Manastirliu, teksa shtoi se mostrat janë dërguar në Berlin për të pasur një konfirmim ose jo të këtij dyshimi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat