U arrestua në sallën e gjyqit, çfarë tha para vendimit mjeku për kryeministrin Rama!

Shqipëria

U arrestua në sallën e gjyqit, çfarë tha para vendimit mjeku për kryeministrin Rama!

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 16:15
Edvin Prifti

Pak para se të arrestohej në sallën e gjyqit, mjeku i njohur kardiolog i QSUT, Edvin Prifti, në një intervistë për mediat jashtë ambienteve të GJKKO, komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit e quajti lajm të mirë faktin që SPAK ka sekuestruar shumën e madhe të parave në shtëpi dhe zyrën e mjekut.

Sipas mjekut, deklaratat e kryeministrit duhet t’i komentojë i gjithë publiku, ndërsa shtoi se ato mund të kenë qenë lapsus.

"Sapo erdha nga një lokal pranë gjykatës, ku po dëgjoja një regjistrim të kryeministrit që më thoshte se jam arrestuar dy orë më përpara. Pyetjet duhet t’ia drejtoni atij, sepse unë tashmë jam arrestuar”, tha Prifti, duke iu referuar reagimit të kryeministrit Rama pak orë më përpara, ku e quante lajm të mirë arrestimin e tij.

Prifti këmbëngul se është i pafajshëm.

“Jam totalisht i pafajshëm. Të gjitha provat ia kam dhënë gjykatës. Besoj se do ketë drejtësi. Pikëpamjet e mia nuk janë të djathta, por thellësisht demokratike, liberale në funksion të asaj që duam të ndërtojmë. Mendimet e mija janë të dokumentuara. Nëse shkojnë ndesh me personalitete të caktuara kjo është çështje tjetër".

GJKKO, vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për mjekun, pasi më herët, prokuroria ngriti akuzën e pastrimit të parave dhe kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, ‘pezullim detyre’.

Hetimet ndaj Edvin Priftit, nisën bazuar në përgjimet e sekretares së Gjykatës së Krujës, në lidhje me dyshimet e forta të lirimit në mënyrë të paligjshme të disa të dënuarve nga burgu, por që kanë zbuluar për Prokurorinë e Posaçme, edhe korrupsionin në shëndetësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat