Përkeqësohet situata në Shqipëri/ VOA: Rastet me Covid-19 u rritën ndërsa testimet u ulën në javën e fundit

Shqipëria

Përkeqësohet situata në Shqipëri/ VOA: Rastet me Covid-19 u rritën ndërsa testimet u ulën në javën e fundit

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 23:24
Foto ilustrim

Në Shqipëri situata e përhapjes së Koronavirusit u përkeqësua më tej në javën e fundit (9 Shkurt -15 Shkurt), ku bie në sy një numër më i lartë i viktimave dhe një rritje e ndjeshme e shtrimeve në spitale, gjë e cila detyroi autoritetet të vendosin që prej ditës së sotme aktivizimin edhe të dy spitaleve rajonale për të përballuar fluksin e pacientëve.

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se rastet e vdekjeve u rritën me 20 përqind, duke u ngjitur në 95 persona të cilët humbën jetën në 4 spitalet COVID. Numri më i lartë i përket datës 9 shkurt, me 16 viktima, ndërsa në 24 orët e fundit 12 persona të tjerë vdiqën: 6 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Mati, 1 qytetar nga Vlora, dhe 1 qytetar nga Fieri të moshave 50-76 vjeç.

LEXO EDHE:

Makinat aksidentohen nga akulli në rrugë/ Grushta dhe shkelma mes shoferëve, policia nuk ndërhynë

Rastet e reja u rritën lehtazi, me 3.6 përqind, duke shënuar një rekord javor me 7561 të prekur. Rritja, ndonëse jo me ritme të larta, tregon një situatë të rënduar, përsa kohë testimet u ulën me 3.3 përqind, duke zbritur në 27.296 tamponë. Ndërkaq edhe pozitiviteti shënoi një tjetër rritje, për të katërtën javë rradhazi, duke shënuar vlerën e 27.7 përqind, gati 2 pikë përqindje me shumë se java pararendëse (1 Shkurt-8 Shkurt). Pozitiviteti (raporti mes rasteve të konfirmuara dhe testimeve) është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Në 24 orët e fundit numri i të infektuarve ra ndjeshëm me 755 të prekur, (mesatarja javore ishte 1080 raste në ditë) falë uljes së fortë të testimeve të kryera, 2698 të tilla (mesatarja javore ishte 3899 tamponë në ditë). Rastet e reja u konfirmuan në 38 bashki të vendit: 298 raste në Tiranë, 74 në Lushnje, 64 në Vlorë, 58 në Kavajë, 32 në Shkodër, 30 në Korçë, 29 në Sarandë, 25 në Berat, 22 në Fier, 20 në Durrës, 18 në Mallakastër, 15 në Delvinë, nga 9 raste në Kamëz, Kolonjë, nga 6 raste në Kukës, Pukë, nga 5 raste në Mirditë, Peqin, Gramsh, nga 4 raste në Devoll, Tepelenë, Kuçovë, Vorë, nga 3 raste në Gjirokastër, Ura Vajgurore, Dibër, Skrapar, nga 2 raste në Kurbin, Lezhë, Has, Librazhd, Përmet, Poliçan, dhe nga 1 rast në Tropojë, Mat, Pogradec, Shijak, Këlcyrë.

Gjatë javës së fundit u verifikua një shtim i dukshëm i pacientëve në spitale, përfshirë atyre në gjendje kritike. Deri pasditen e sotme, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë, po trajtoheshin 547 pacientë. Në fund të javës pararendëse, më datë 8 Shkurt, në spitale kishte 449 pacientë. Aktualisht 12 të shtruar po trajtohen në terapi intensive ndërsa 11 të tjerë janë të intubuar.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri të ditur sot, se nisur nga rritja e shtrimeve që çoi thuajse në ezaurimin e plotë të kapaciteteve në të 4 spitalet COVID, prej sot janë vënë në dispozicione dhe dy spitalet rajonale, ai i Shkodrës dhe Durrësit. Të gatshëm, në varësi të situatës, janë sipas ministres dhe spitalet e Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.

Sot në mbrëmje mbërritën dhe 7020 doza të vaksinës Pfizer. Ndërsa brenda muajit mars, sipas kontratës me Pfizer- BioNtech, duhet të mbërrijnë dhe rreth 33 mijë doza të tjera. Aktualisht janë 560 pjestarë të personelit shëndetësor që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës, ndërsa afro 690 të tjera kanë marrë dozën e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat