“Kishte merak mamanë dhe babanë”, miku i 17-vjeçarit që ndërroi jetë nga Covid: E donte të ardhmen

Shqipëria

“Kishte merak mamanë dhe babanë”, miku i 17-vjeçarit që ndërroi jetë nga Covid: E donte të ardhmen

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 13:23
Qamil Seiti

Covid-19 në Shqipëri po vepron në mënyrë agresive dhe të frikshme. Mosha mesatare e fataliteteve është ulur, pasi po humbasin jetën edhe të rinjtë.

Një ditë më parë ndërroi jetë nga koronavirusi një 17-vjeçar, i cili prej 4-ditësh ishte në intubim. Virusi kishte prekur totalisht mushkëritë e Qamil Seitit. Ndërkohë edhe babai i tij është në luftë me Covid-19.

Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” ka qenë i ftuar miku i tij, Xhuliano Mata. Gjatë lidhjes së drejtpërdrejtë, ai tha se nuk ka fjalë për këtë humbje dhe se ndihet i shokuar.

“Isha në shkollë, kur në 5-minutësh na erdhi një lajm i pakonfirmuar. Ne mendonim se nuk ishte i vërtetë. Ishte mesazh se Qamili ka ndërruar jetë. Nuk na binte në mendje që një djalë 17-vjeçar të ndërronte jetë”, tha ai.

Xhuliano u shpreh se e njeh që të vogël Qamilin dhe se ka qenë njeri shumë pozitiv dhe kishte shumë dëshira.

“Para 10-ditësh kemi folur me të, e kemi folur për të ardhmen tonë. Ai kishte pasion kuzhinën. Madje punonte kur kishte kohë të lirë. E donte të ardhmen. Të arrij një gjë të mirë nga vetja. Donte ta bënte familjen e tij krenar”, tha Mata.

Sipas tij, shoku i ndjerë nuk kishte asnjë sëmundje tjetër, prandaj u duket si ëndërr vdekja e tij.

“Tani babai i tij është në intubim, urojmë të shërohet sa më shpejt. Kur flisnim për virusin, ai kishte merak vetëm nënën e babanë, nuk e mendonte se do të shkonin gjërat kështu. Ka patur një vëlla dhe motër më të madh, që janë në gjendje të mirë shëndetësore”, përfundoi Mata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat