Peleshi nga Korça: Forcat e Armatosura do të angazhohen në vaksinimin masiv të popullsisë

Shqipëria

Peleshi nga Korça: Forcat e Armatosura do të angazhohen në vaksinimin masiv të popullsisë

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 13:21
Niko Peleshi

Mjekët dhe infermierët në uniformë, përfshirë logjistikën e Forcave të Armatosura do të angazhohen për vaksinimin masiv të popullsisë kundër Covid-19. Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nga qyteti i Korçës, ku nisi vaksinimi për personelin shëndetësor të këtij qarku.

Plani dhe synimi i qeverisë për të vaksinuar të gjithë popullsinë brenda 14 muajve, sipas ministrit Peleshi, ngarkon me përgjegjësi çdo institucion që ka mundësi të kontribuojë për arritjen e këtij objektivi.

“Kemi sinjale shumë të forta siç e ka përcjellë edhe Kryeministri që Shqipëria do të jetë një nga vendet e para në rajon shpresoj, që do ta sigurojë vaksinimin masiv, që do të sigurojë vaksina për të gjithë popullsinë. Kjo na vë ne në pozitën, kur them ne, të gjitha institucionet që kanë mundësi të japin një dorë në procesin e vaksinimit dhe këtu po flas tani për Forcat e Armatosura, për Ministrinë e Mbrojtjes, na vendos në përgjegjësinë dhe nevojën për të angazhuar të gjitha burimet tona. Forcat e Armatosura do të jenë në funksion të vaksinimit intensiv, masiv. Ne kemi brenda strukturës sonë rreth 100 infermierë, por kemi shumë logjistikë, kemi shumë qendra që mund t’i hapim në çdo bashki, në çdo qytezë, apo fshatra të mëdha në rast se do të gjykohet të ngrihet një sistem i tillë, kemi personel mjekësor, jo vetëm infermierë, edhe mjekë, kemi mjete transporti, kemi shumë logjistikë që do të jetë e gjitha në funksion të vaksinimit intensiv.”– tha Peleshi.

Ministri, bashkë me deputetin Ilir Pendavinji dhe shefen e Departamentit të Epidemiolgojisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Tiranë Dr. Silva Bino, ndoqën nga afër nisjen e procesit të vaksinimit të personelit shëndetësor të qarkut të Korçës.

Bino bëri të ditur se brenda 2 ditësh synohet të vaksinohen rreth 500 mjekë, infermierë, stomatologë dhe personel shëndetësor ndihmës në të gjithë qarkun e Korçës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat