Maxhoranca ndryshon 8 ligjet e Reformës në Drejtësi 2 muaj para zgjedhjeve! Ja çfarë synohet të amendohet nga PS

Shqipëria

Maxhoranca ndryshon 8 ligjet e Reformës në Drejtësi 2 muaj para zgjedhjeve! Ja çfarë synohet të amendohet nga PS

Më: 2 mars 2021 Në ora: 13:32
Foto ilustrim

Maxhoranca ka vendosur të ndryshojë ligjet e Reformës në Drejtësi. Dy muaj para zgjedhjeve, maxhoranca ka depozituar në Kuvend 8 amendamente për ndryshimin e ligjeve, pjesë e Reformës në Drejtësi.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, propozon që të bëhen ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. Amendimet e tij, sipas relacionit, synojnë që të zhbllokojnë situatën e krijuar në Gjykatën e Lartë, ku për shkak të mosfunksionimit prej disa vitesh, është krijuar një stok i madh dosjesh që presin gjykimin.

Sipas propozimit të Manjës, kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake; ankimi ndaj vendimit të prokurorit për mosfillimin e ndjekjes penale apo pushimin e çështjes për kundërvajtjet penale; kërkesa e prokurorit për pushimin e akuzës ose çështjes për krimet; kërkesën e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq; kërkesën e prokurorit për miratimin e urdhrit penal; kërkesat që lidhen me ekzekutimin e vendimeve penale; kërkesat për rivendosje në afat në Gjykatat e rretheve gjyqësore dhe Gjykata e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të gjykohen me nga një gjyqtar. Ndërsa deri më tani këto çështje gjykohen nga një kolegj gjyqtarësh me 3 anëtarë.

“Gjykimet për kërkesat e parashikuara në pikën 2, të nenit 13, shqyrtohen me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë”, ishte në Kodin e Procedurës Penale, ndërsa sipas propozimit të z. Manja, “gjykimet për kërkesat e parashikuara në pikën 2, të nenit 13, të këtij Kodi shqyrtohen nga një gjyqtar i vetëm”

VETINGU

Sipas dokumentit argumentues të propozimeve, këto ndryshime janë të nevojshme për shkak të stokut që është bërë në Gjykatën e Lartë si pasojë e vetingut që ka shkarkuar shumë gjyqtarë. “Procesi i vetingut ka ndikuar gjerësisht në krijimin e vakancave në sistemin e gjykatave, duke sjellë për pasojë rritjen e ngarkesës së punës dhe detyrave të gjyqtarëve, pjesë e sistemit gjyqësor.

Këto ndryshime janë konsideruar të domosdoshme, kryesisht lidhur me eficencën, efektshmërinë dhe administrimin e sistemit të drejtësisë, duke garantuar funksionimin e sistemit gjyqësor. Gjithashtu, këto rregullime synojnë uljen e mbingarkesës së gjykatave, sidomos të Gjykatës së Lartë, përshpejtimin e gjykimit dhe shqyrtimin e dosjeve gjyqësore brenda afateve të arsyeshme.

Qëllimi i ndryshimeve të propozuara te ligjit nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë” është rritja e eficencës dhe efektshmërisë në sistemin e drejtësisë nëpërmjet rregullimeve procedurale si relacion shpjegues për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, ato për përbërjen e trupave gjykues në Gjykatën e Lartë, shqyrtimin e kërkesave të përjashtimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, njoftimin e ankimeve, gjykimin në apel, zhvillimin e proceseve gjyqësore në mënyrë efikase dhe sa më të shkurtër, shqyrtimin e rekurseve, kunderrekurseve, gjykimet për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, procedimet paragjykimore etj”, thuhet në relacionin bashkangjitur projektligjit.

Një tjetër propozim i kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, është që vendimin për përjashtimin e një gjyqtari për gjykimin e një çështjeje e vendos vetëm një gjyqtar nga një kolegj prej tre gjyqtarësh që ka qenë më herët. “Neni 21, pika 2 ishte: Për kërkesën e përjashtimit të një gjyqtari të Gjykatës së Lartë vendos një kolegj i kësaj gjykate, i ndryshëm nga ai të cilit i përket gjyqtari që kërkohet të përjashtohet. Vendimi është i formës së prerë”. “Bëhet: 2. Për kërkesën e përjashtimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë vendos një gjyqtar tjetër i kësaj gjykate, i ndryshëm nga gjyqtarët e kolegjit të cilit i përket gjyqtari që kërkohet të përjashtohet. Vendimi është i formës së prerë”, sipas propozimit të z. Manja.

NDRYSHIMET NË KODIN E PROCEDURËS CIVILE

Ndryshime do të pësojë edhe Kodi i Procedurës Civile. Në propozimin e tij, Hyseni propozon që çështjet në gjykatat e apelit të gjykohen nga një gjyqtar i vetëm, por ai kufizon llojet e çështjeve që mund të shqyrtohen nga to. Ndërkohë deri më tani, sipas ligjit aktual, fusha e veprimit është më e gjerë, por vendimet merren nga kolegje gjyqtarësh të përbara prej 3 dhe 5 anëtarësh sipas çështjes. Konkretisht, deputeti i PS-së, z. Hyseni, kërkon që të ndryshohet neni 34, pika 4 e “Kodit të Procedurës Civile”.

“Neni 35, paragrafi 4, ishte: Gjykata e apelit gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Gjykata e Lartë gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë të gjitha çështjet që, sipas këtij neni, në gjykatën e shkallës së parë gjykohen nga një gjyqtar. Çështjet e tjera gjykohen me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë. Gjykata e Lartë gjykon në kolegje të bashkuara me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve, çështjet e parashikuara shprehimisht në dispozita të tjera të këtij Kodi”.

“Bëhet: Gjykata e apelit shqyrton me një gjyqtar të vetëm ankimet kundër vendimeve për paditë me vlerë deri në njëzetfishin e pagës minimale në shkallë vendi, që rrjedhin nga marrëdhënie kontraktore, ankimin e veçante kundër vendimit të refuzimit të kërkesës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, ankimet e veçanta kundër vendimit të gjykatës që ka shqyrtuar kundërshtimin e veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, si dhe rastet e tjera të parashikuara në këtë Kod”. Në arsyetimin që shoqëron projektligjin, Hyseni thekson se kjo vjen si nevojë e krijuar për shkak të efekteve që ka shkaktuar vetingu.

“Procesi i vetingut ka ndikuar gjerësisht në krijimin e vakancave në sistemin e gjykatave, duke sjellë për pasojë rritjen e ngarkesës së punës dhe detyrave të gjyqtarëve, pjesë e sistemit gjyqësor. Këto ndryshime janë konsideruar të domosdoshme, kryesisht lidhur me eficencën, efektshmërinë dhe administrimin e sistemit të drejtësisë, duke garantuar funksionimin e sistemit gjyqësor. Qëllimi i ndryshimeve të propozuara te ligjit nr. 8116, datë 29.03.1996 “Kodi i Procedurës Civile”, është rritja e eficencës dhe efektshmërisë në sistemin e drejtësisë nëpërmjet rregullimeve procedurale, si ato për shqyrtimin e ankimeve në lidhje me vendimet për nxjerrjen e çështjes ose jo jashtë juridiksionit gjyqësor, vendimet mbi kompetencën për gjykimin e mosmarrëveshjes, zhvillimin e proceseve gjyqësore në mënyrë efikase dhe sa më të shkurtër, shqyrtimin e rekurseve, për gjykimet për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, procedimet paragjykimore etj. Gjithashtu këto rregullime synojnë uljen e mbingarkesës së gjykatave dhe shqyrtimin e dosjeve gjyqësore brenda afateve të arsyeshme”, thuhet në relacionin shoqërues.

NDIHMËS LIGJORË EDHE NË SHKALLËN E PARË

Për shkak të fluksit të krijuar në gjykatat e shkallëve të para dhe për shkak të mungesave të krijuara për gjyqtarë për shkak të procesit të vetingut, deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, propozon përmes një amendamenti që të ketë ndihmës ligjorë edhe në gjykatat e shkallës së parë. Sipas ligjit për pushtetin gjyqësor, ndihmësit ligjorë kanë funksionuar vetëm në gjykatat e apelit, por sipas deputetes, ata janë të nevojshëm edhe në gjykatat e shkallës së parë. “Neni 2, pika e, ishte: Ndihmës ligjor është ndihmësi që ushtron funksionin e tij në njësinë e shërbimit ligjor pranë gjykatave të apelit”. “Bëhet: Në nenin 2, shkronja e, ndryshohet si më poshtë: Ndihmës ligjor është ndihmësi që ushtron funksionin e tij në njësinë e shërbimit ligjor pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjykatave të apelit”, propozon Bushka.

BKH

Në Kryesinë e Kuvendit, deputeti Alket Hyseni ka depozituar edhe një projektligj për Policinë gjyqësore. Në miratimin e Reformë në Drejtësi dhe ligjet mbështetëse, ligjvënësit menduan stimulimin e Policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit duke i dhënë 20% më tepër rrogë se oficerët e Policisë gjyqësore normalisht. Por sipas Alket Hysenit, ky 20% duhet të hiqet. “Qëllimi i projektaktit është shfuqizimi i pikës 4 të nenit 30 të ligjit nr. 95/2019 me qëllim qartësimin dhe shmangien e konfliktit të normave ligjore të legjislacionit sa i përket pagës së oficerit të Policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila përcaktohet në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat