Presidenti Meta: S’jam naiv të pretendoj zgjedhje si në Danimarkë apo Suedi, por…

Shqipëria

Presidenti Meta: S’jam naiv të pretendoj zgjedhje si në Danimarkë apo Suedi, por…

Më: 4 mars 2021 Në ora: 11:36
Ilir Meta

Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se zgjedhjet e 25 prillit janë të rëndësishme për të përcaktuar të ardhmen e vendit. Gjatë një aktiviteti online, të zhvilluar me përfaqësues të shoqërisë civile, Kreu i Shtetit tha se duhet patur besim të fuqia e votës.

Ai tha se nuk pretendon të ketë zgjedhje si në Danimarkë apo Suedi, por mininalisht si në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidenti Meta theksoi se kush shet votën nuk ka të drejtë të kërkojë llogari.

“Dy janë detyrat e mia më të rëndësishme për të dhënë kontributin maksimal për përballimin e pandemisë dhe së dyti për ti shërbyer garantimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, të cilat janë baza e gjithçkaje për vendin tonë dhe qytetarët tanë.

Unë nuk jam naiv që të pretendoj zgjedhje si në Danimarkë apo Suedi, për momentin. Në të ardhmen pse jo. Por ne i kemi të gjitha mundësitë si shoqëri, popull dhe institucione, të paktën ti ngjajmë Kosovës me zgjedhjet e fundit, apo Maqedonisë së Veriut.

Një temë që duhet të ishte e përfshire është ajo që ka të bëjë me krimin zgjedhor dhe veprat penale që prekin sistemin demokratik të zgjedhjeve. Duhet ti kushtojmë më shumë vëmendje informimit të njerëzve. Sqarimit të shumë elementeve që kanë të bëjnë me informimin e votuesit dhe me mënyrën si ai do të zgjedhë dhe është e rëndësishme që të gjithë ti ndërgjegjësojmë qytetarë tanë që në një sistem demokratik fuqia është vota. Kjo është një fuqi tek e cila duhet patur besim.

Çdo demotivim, cdo indiference nuk i shërben jo vetëm demokracisë, por edhe qytetarit që të jetë më kërkues për të qenë më aktiv. Unë kam besim që çdo qytetar që nuk voton, moralisht  nuk ka të drejtë të ankohet.

Ashtu sikurse çdo qytetar që e shkëmben votën e tij me favore të caktuara dhe e shet votën, në atë moment ai ka humbur të drejtën e llogaridhënës ndaj atij që i ka ofruar paratë.

Ndaj unë mendoj që kemi nevojë për bashkërendim për të garantuar një proces për vendin tonë për të kapërcyer një nga kushtet për çeljen e negociatave”, tha ndër të tjera Presidenti Meta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat