Kryemadhi në Bulqizë: Statusi i minatorit, një nga pikat tona kryesore të angazhimit tonë

Shqipëria

Kryemadhi në Bulqizë: Statusi i minatorit, një nga pikat tona kryesore të angazhimit tonë

Më: 12 mars 2021 Në ora: 16:02
Monika Kryemadhi

Monika Kryemadhi, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka qenë në Bulqizë, ku u shpreh se LSI do të ketë parasysh statusin e minatorit.

Kryemadhi theksoi se statusi i minatorit do jetë në fokus të angazhimit të LSI-së, kur Lëvizja Socialiste për Integrim të jetë në pushtet. Ajo shtoi se qarku i Dibrës ka qenë dhe do jetë në fokus të LSI-së.

Fjala e plotë e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi:

Ne jemi sot këtu në kuadrin e të gjithë prezantimeve që kemi bërë bashkë me doktor Hajriun. Kemi filluar që në mëngjes herët, ku kemi ardhur në qytetin e Bulqizës, ku do të prezantojmë doktor Blendin dhe Borën. Me doktor Blendin njihemi prej kohësh dhe është Kryetari i LSI-së për qytetin. Është një nga njerëzit më të dashur të qytetit, që u gjendet prezent gjithmonë qytetarëve, edhe në këto kushte pandemie. Unë të falenderoj shumë që je pjesë e kësaj situate kaq të vështirë për qytetarët, ju prapë do t’i përkushtoheni. Apo edhe Borën, që e kemi të sapo diplomuar me masterin në Drejtësi dhe që ka marrë së fundmi licencën e avokatisë.

Sigurisht që emocionet në të gjithë qarkun e Dibrës janë prezente. Ndihem mirë dhe e sigurt, por edhe e motivuar. Një nga pikat tona kryesore që kemi për gjithë angazhimin tonë, përveç programit me 5 prioritetet tona që kemi në 5 muajt e parë të qeverisjes, është edhe statusi i minatorit , për të cilin ne jemi ngritur gjithmonë. Edhe deputeti i zonës Përparim Spahiu, i cili është këtu me ne, por për arsye të rregullave të pandemisë nuk është prezent në këtë tryezë. Propozimi që ne patëm dhe e propozuam në Parlament, edhe pse e patëm propozuar që në mandatin e parë të Përparim Spahiut, asnjëherë mazhoranca e asaj kohe, PS-ja nuk e mori parasysh. Dhe ne e ribëmë si një iniciativë personale të zotit Spahiu për ta pasur në Parlament, por që u rrëzua nga PS-ja.

Ne gjithmonë e kemi parë statusin e minatorit dhe Spahiu e ka pasur gjithmonë një nga pikat dhe sfidat e veta, duke qenë edhe djalë minatori, rritur në qytetin e Bulqizës. Ndoshta e ka ndjerë më shumë dhe është përsëri një nga pikat kryesore për ta vazhduar edhe në të ardhmen e për ta çuar deri në fund atë meritë dhe atë kontribut të minatorëve, jo vetëm në qytetin e Bulqizës, por në të gjithë Shqipërinë, në Përrenjas, Selenicë apo në shumë vende të tjera, të cilët kanë kontribuar, i kanë dhënë këtij vendi, por asnjëherë nuk e kanë marrë shpërblimin mbrapsht.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat