Biznesi i huaj transferoi jashtë 541 mln euro fitime me 5% humbje

Shqipëria

Biznesi i huaj transferoi jashtë 541 mln euro fitime me 5% humbje

Më: 30 mars 2021 Në ora: 08:21
Foto ilustrim

Mbështetur në të dhënat e Bilancit të Pagesave, vitin e kaluar flukset dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet për vitin 2020 kishin vlerën e 541 milionë eurove, në rënie me 5.1% krahasuar me vitin 2019.

Megjithatë, në tremujorin e fundit këto flukse shënuan një rritje të ndjeshme krahasuar me tre tremujorët e mëparshëm, por edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sidoqoftë, po të shohim tendencën historike, vlera e fitimeve nga investimi të nxjerra jashtë vendit ngelet në nivele të larta. Pavarësisht rënies vjetore, flukset dalëse në këtë zë kishin vlerën e dytë më të madhe në 12 vitet e fundit. Pandemia e Covid-19 solli një goditje të fortë në ekonomi dhe pasiguri të shtuar për të ardhmen. Në një situatë të tillë, ishte e pritshme që shumë biznese të pezullonin shpërndarjen e dividendëve, për të forcuar kapitalizimin e kompanive. Për kompanitë që veprojnë si bankat apo kompanitë e sigurimeve, shpërndarja e fitimeve u pezullua përkohësisht përmes vendimeve të autoriteteve rregullatore.

Vlera relativisht e lartë e fitimeve të transferuara tregon se efekti i krizës në këtë drejtim nuk ka qenë shumë drastik. Megjithatë, një faktor me ndikim në këtë tregues është edhe rritja e detyrimeve te jorezidentët në vitet e fundit, sidomos nga qeveria shqiptare. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për vitin 2020 qeveria shqiptare shpenzoi 12 miliardë lekë ose rreth 97 milionë euro për interesat e borxhit të jashtëm. Kjo shumë është afërsisht sa 18% e flukseve dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet.

Gjatë vitit 2020 flukset hyrëse, të kuptuara si të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit, u rritën lehtë në 94 milionë euro, nga 90 milionë euro që kishin qenë një vit më parë. Ky është niveli më i lartë i shënuar prej vitit 2017.

Rënia e flukseve dalëse dhe rritja e lehtë e atyre hyrëse e përmirësoi disi bilancin neto të të ardhurave nga investimet në ekonominë shqiptare. Për vitin 2020 deficiti në këtë zë ishte 448 milionë euro, në rënie me 6.5% krahasuar me një vit më parë.

Ky bilanc për Shqipërinë është historikisht negativ, sepse ne jemi një vend pritës i investimeve të huaja, sidomos në instrumente të kapitalit, por edhe të borxhit. Kjo sjell edhe dalje periodike të të ardhurave në formën e dividendëve që shoqëritë me kapital të huaj shpërndajnë te aksionerët e tyre jashtë vendit ose në formën e interesave për titujt financiarë të huamarrjes.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat