S’deklaron aktivitetet, KQZ rihap hetim administrativ për Bashkinë e Vorës: Nuk po zbatohet…

Shqipëria

S’deklaron aktivitetet, KQZ rihap hetim administrativ për Bashkinë e Vorës: Nuk po zbatohet…

Më: 13 prill 2021 Në ora: 08:28
Ilirjan Celibashi

Një muaj pasi urdhëroi Bashkinë e Vorës që të hap faqen zyrtare për të publikuar aktivitetet sipas detyrimeve të Kodit Zgjedhor, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vendosi dje të rihapë hetimin për Bashkinë e Vorës.

Ky vendim erdhi pas kallëzimit të bërë nga LSI-ja pranë KQZ-së pak ditë më parë.

“Sot (dje) Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të rihapë hetimin administrativ për shqyrtimin e denoncimit ndaj kryetarit të Bashkisë Vorë për moszbatimin e vendimit nr. 140 të KSHZ-së. Komisioneri vendosi t’i kërkohet informacion Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit (AKSHI) brenda datës 14.04.2021, ora 10:00 lidhur me pretendimet në shkesën e Bashkisë Vorë, të administruar sot nga KQZ”, njoftoi dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ndërkohë, vetëm një muaj më parë, KQZ-ja pasi shqyrtoi kallëzimin e mëparshëm të LSI-së urdhëroi Bashkinë e Vorës që të plotësojë detyrimet e Kodit Zgjedhor. Sipas denoncimit të datës 11.02.2021, protokolluar me shkresën 1185 prot., datë 15.02.2021 pranë KQZ-së, të kallëzuesit LSI, pretendohet se:

“Nga verifikimi i faqes zyrtare të Bashkisë Vorë, rezulton se kjo Bashki nuk ka një të tillë. Referuar parashikimeve në nenin 79, pika 1 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar dhe në nenin 7 pika 1 shkronja ‘c’ të Vendimit nr.9/2020 i Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Bashkitë duhet të përmbushin detyrimin për hapjen e faqes zyrtare me qëllim publikimin e detyrueshëm të parashikimeve të dispozitave të sipërcituara. Në këto kushte, kërkohet ndërmarrja e hapave konkrete me qëllim që Bashkia Vorë të plotësojë këtë detyrim ligjor”, thuhej në vendimin e Komisionerit të datës 15 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat