31-vjeçarja vdiq në sallën e lindjes/ Flet bashkëshorti: I pyeta a është arrest kardiak, ngritën supet...

Shqipëria

31-vjeçarja vdiq në sallën e lindjes/ Flet bashkëshorti: I pyeta a është arrest kardiak, ngritën supet...

Më: 17 prill 2021 Në ora: 07:22
Leonard Lamaj

E reja Elisabeta Lamaj humbi jetën në sallën e lindjes në 10 prill, në maternitetin e Fierit. 31-vjeçarja, nga fshati Drenovë Mallakastër ndërroi jetë, ndërsa mjekët ndërhynë për të shpëtuar foshnjën.

Bashkëshorti i së ndjerës, Leonard Lamaj foli për emisionin “Shqipëria live”, ku bëri të ditur se akoma nuk e ka marrë foshnjën. Gjithashtu, ai tha se vajza ka emrin e së ëmës, Elisabetës.

“Shtatzënia ka shkruar mirë. Doktoresha na la një ditë, datën 10 për të bërë lindjen. Nuk pati asnjë shqetësim, para se të kryhej operacioni. 3-4 ditë më parë i bëmë të gjitha analizat.

Eduart Kapaj, ishte mjeku, më tha që çdo gjë do të shkojë shumë mirë. Pasi Elisabeta hyri në sallë, pashë që diçka ka ndodhur, pyeta, askush nuk më jepte përgjigje. Në atë kohë shoh dhe doktoreshën që ka ndjekur nusen, që u fut në sallën e operacionit.

Diku te ora 11:37 doli vetë Eduarti dhe më tha që po bën të pamundurën. Kanë dalë pastaj të gjithë mjekët nga salla e operacionit. E pyeta a është arrest kardiak, ngritën supet, nuk më thanë gjë”, u shpreh ai.

Sipas tij, Elisabeta kishte ndërruar jetë rreth një orë para njoftimit. “Në 12 e 5 më dhanë njoftimin zyrtar të vdekjes. Eduarti i ka thirrur mjekët për të mbrojtur veten. Unë mendoj se gruaja ndërroi jetë më herët, hyra e pashë në sallë. Mjekët na dhanë dy versione, në fillim se pësoi trombozë dhe më pas atak.

Nuk e kam marrë akoma foshnjën, është në maternitet. Vajza ka emrin e nënës së saj, Elisabeta, dëshira ishte e imja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat