Kushi komenton fushatën elektorale të PS-së në qarkun e Elbasanit: Jam optimiste, do marrim 9 mandate

Shqipëria

Kushi komenton fushatën elektorale të PS-së në qarkun e Elbasanit: Jam optimiste, do marrim 9 mandate

Më: 21 prill 2021 Në ora: 16:14
Evis Kushi

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ishte sot në një lidhje direkte me emisionin “Breaking” në Top News, ku foli për fushatën elektorale në qarkun e Elbasanit si dhe rreth programit për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme.

Duke folur për fushatën e ditës së djeshme në Elbasan, Kushi u shpreh se ishte një ogur i mirë për fitoren e Partisë Socialiste.

“Na janë bashkuar vajza e djem të rinj, të moshuar. Ne kemi qenë në çdo lagje dhe në çdo rrugicë. Fushata jonë po ecën shumë mirë. Nuk ka pasur probleme të tjera, përveç atij të 14 marsit. Ne jemi të fokusuar te njerëzit, te komunikimi me ta, cili është programi ynë për mandatin e ardhshëm. Jam optimiste se deri në ditën e diel do të jetë e tillë situata. Nuk ndjemë avantazh më shumë në një zonë apo disavantazh në një tjetër, pasi kudo kemi një frymë që rritet dita-ditës. 9 mandate do t’i marrim në qarkun e Elbasanit”, tha Kushi.

Ndërsa duke folur në lidhje me shkollat, ministrja e Arsimit u shpreh se ka pasur vendim specifik për çdo shkollë dhe zonë.

“Ditën e hënë Komiteti u përgjigj pozitivisht kërkesës sonë për të kthyer në shkollë klasat e 10 dhe të 11. Është fjala për zonat e riskut, pasi në bashkitë e tjera të vendit ku situata ka qenë me e lehtë nga Covid, mësimi ka vijuar normalisht sipas skenarit të dytë. Aktualisht nga klasa e 1 deri te e 5 dhe maturantët janë 100 për në shkollë.

Klasa e 6 deri në 11 bëjnë mësim të alternuar, gjysmën e javës në shkollë dhe gjysmën e javës online. Në zona të caktuara, ku situata e pandemisë ka qenë mirë, numri i nxënësve ka qenë më i ulët, mësimi ka nisur me skenarin e parë. Jo kudo kemi patur skenarin e dytë. Ka pasur shumë shkolla të vendit ku mësimi ka vijuar normalisht, të ndarë në dy grupe me nga 15 nxënës”, përfundoi Kushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat