Fatmir Mediu: Me PD kemi rënë dakord për ndryshimin e ligjit të pronave

Shqipëria

Fatmir Mediu: Me PD kemi rënë dakord për ndryshimin e ligjit të pronave

Më: 23 prill 2021 Në ora: 21:02
Fatmir Mediu

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, pjesë e koalicionit me PD-në “Aleanca për Ndryshim” tha  gjatë emisionit “Rinvote” se partia e tij ka rënë dakord me Partinë Demokratike që në rast të fitimit të zgjedhjeve do të ketë ndryshim të ligjit për pronat.

Ndërsa si kontribut të PR në vite për kthimin e pronave që është një nga kauzat e saj kryesore, veçoi ndryshimin e Kushtetutës sa i takon kësaj çështjeje.

“Kemi përfshirë në kushtetutë një nen që bazohet mbi eksperiencën dhe vlerën evropiane të drejtës së pronës. Kemi dërguar iniciativa ligjore, por që të ndryshon një ligj duhet të kesh 51% të votave. PD ka rënë dakord me PR sa i takon rishikimit të ligjit për pronat në Shqipëri”, tha z. Mediu.

Kreu i PR shtoi më tej se partia e drejtuar prej tij ka kontribuar si asnjë tjetër për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ndërsa nga 1991 është në koalicion me PD, por ka nxjerr deputetët e saj.

“Në zgjedhjet e 2009, PR ka fituar deputetin e vet, në 2013 ka fituar 4 deputetë vetëm në vitin 2017 kemi qen të detyruar që të jemi nën një sigël për shkak të marrëveshjes që bëri Basha në atë kohë”, tha ai.

Z. Mediu tha se konsideron si problem madhor emigracionin dhe që opozita synon ta adresojë me nisma për kthimin e shqiptarëve.

“Është shumë dramatike janë larguar 490 mijë shqiptarë dhe për mua kjo nuk ka ndodh në mënyrë spontane por është e qëllimshme”, përfundoi z. Mediu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat