Zgjedhjet në Shqipëri, reagon BE: Përsërisim thirrjen për dialog politik konstruktiv nga të gjitha palët

Shqipëria

Zgjedhjet në Shqipëri, reagon BE: Përsërisim thirrjen për dialog politik konstruktiv nga të gjitha palët

Më: 27 prill 2021 Në ora: 11:29
Olivér Várhelyi dhe Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i BE Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi kanë dalë me një deklaratë të përbashkët mbi zgjedhjet parlamentare të zhvilluara ditën e dielë, më 25 prill në Shqipëri.

Në dekaratën e tyre, zyrtarët e lartë në BE, ngrenë apelin për “të gjitha forcat politike”, që tani “duhet të sigurojnë funksionimin efektiv dhe demokratik të institucioneve të vendit, si rezultat i këtyre zgjedhjeve”.

BE bën thirrje që palët të pranojnë më mënyrë demokratike rezultatin e dalë nga kutitë e votimit.

Ndërsa theksohet se akuzat për shit-blerjen e votave duhet të hetohen siç duhet.

“Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik të respektimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Çdo parregullsi e pretenduar duhet të sillet me vëmendje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës”.

Borrell dhe Várhelyi thonë se Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke treguar këmbëngulje “në ndjekjen e reformave të vështira në interes të popullit shqiptar”.

“Periudha e tranzicionit deri në konstituimin e parlamentit dhe qeverisë së re nuk duhet të pengojë përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar reformat e nevojshme.

Ne do të dëshironim që vendi të hynte në fazën tjetër të procesit të pranimit të negociatave, me zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare, e nisja e negociatave të zhvillohej sa më shpejt të ishte e mundur”.

BE “përcakton” dhe detyrat e qeverisë së dalë nga këto zgjedhje, kur thotë se “ne presim që parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojë ndjekjen e axhendës së reformave të vendit me vendosmëri, veçanërisht në lidhje me Sundimin e Ligjit. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”.

“Ashtu si me aktivitetet e vëzhgimit diplomatik në ditën e zgjedhjeve nga Delegacioni i BE dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare, BE do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet elektorale deri në çertifikimin përfundimtar të rezultateve”, theksohet në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat