Rrëfejnë tmerret, dy afganë/ Erdhëm me rrobat e trupit...

Shqipëria

Rrëfejnë tmerret, dy afganë/ Erdhëm me rrobat e trupit...

Më: 6 shtator 2021 Në ora: 21:55
Foto

Dy afganë që janë në mesin e mbi 600 të ardhurve në Shqipëri për strehim të përkohshëm folën për Top Channel në një intervistë për emisionin Open mbrëmjen e sotme.

Ata treguan tmerret që kanë përjetuar për t’i shpëtuar talebanëve dhe se e rrezikuar ishte jeta e tyre atje.

“Nuk kisha asnjë plan për të lënë vendin tim, por ja ku ndodhem tani. Isha në Herat, erdhën talebanët dhe pastaj m’u desh të shkoja në Kabul, ku aty erdhën përsëri. Ne që kur talebanët u futën në vendin tonë, e dinim që nuk do ishim të lirë. Nuk do kishim lirinë e fjalës, nuk u japin të drejta grave. Ata nuk besojnë që një grua mund të shkojë në punë. Unë kam punuar dhe si gazetare, edhe bashkëshorti im po ashtu. Prandaj jeta jonë ishte në rrezik dhe duhet të largoheshim,” thotë një grua.

Elias, redaktor i një gazete online: “Ne ishim në zyrat tona, dhe askush nuk priste që erdhën talebanët dhe bënë atë që bënë. Brenda vetëm 1 dite hynë në Kabul dhe morën pushtetin. Ne i njohim si janë ata. Ata kanë vrarë shumë afganë civilë përgjatë dy dekadave. Me bombardime e lloj lloj mënyrash. Të gjithë u frikësuam. Unë, familja ime. Unë jam gazetar, bashkëshortja ime si punonjëse qeveritare, ishim në shënjestër për ta. Edhe vëllai im është ushtar. Erdha vetëm me rrobat e trupit, por unë po punoj edhe nga këtu. Pamë shumë njerëz që donin të hynin në aeroport, por nuk mundnin. Pamë që ndodhën dy shpërthime dhe shumë civilë vdiqën. Lutem për prindërit se nuk e di ku janë se janë në fshatra”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat