Komiteti Teknik i Ekspertëve vendos a do ketë ndryshim të masave anticovid

Shqipëria

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendos a do ketë ndryshim të masave anticovid

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 13:39
Mira Rakacolli

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka njoftuar se nuk do të ketë asnjë ndryshim të masave anticovid që janë aktualisht në fuqi.

Sipas kryetares së këtij Komiteti, masat është parë e arsyeshme që të mos ndryshojnë pasi nuk ka një rritje të madhe të infektimeve dhe fataliteteve me koronavirus.

“Situata mbetet këtë javë relativisht e qëndrueshme, për këtë nuk do të ketë ndryshim të masave në fuqi. Ora policore nga ora 22 deri në 6 të mëngjesit. Përdorimi maskave do të vijojë i detyrueshëm aty ku e kemi rekomanduar. Do vijojë të mos lejohet grumbullimi i më shumë se 50 veta, për aktivitete sportive e kulturore do organizohen në kapacitete jo më shumë se 30 e ambienteve dhe duke zbatuar protokollet e rekomanduara. Do vijojë njësoj rregulli i hyrjes në vendin tonë. Do të kërkohet prova e vaksinimit, kush nuk ka certifikatë vaksinimi, duhet të paraqesin provën e kalimit të sëmundjes brenda 180 ditëve, apo testin që janë të negativizuar. Ata që nuk kanë asnjë nga këto dokumente është në fuqi vendimi për vetëkarantimin për 10 ditë”, tha Rakacolli.

Komiteti i Ekspertëve ka informuar po ashtu mbi situatën aktuale të vaksinimit duke theksuar se Gjirokastra është qyteti me vaksinimi më të lartë të popullsisë.

Masat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve:

– Duke filluar nga data 1 Shtator, ora policore nga 24:00 deri në 06:00 që është sot, do të shkojë në 23:00-06:00.
– Duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

– Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

– Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik ka vendosur rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët.

– Vlerësohet që Shtatori, duke qenë muaj i hapur, të jetë periudha që të gjithë stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët, të kryejnë vaksinimin dhe deri në datën 30 Shtator të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania.

– Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë. Përjashtim do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosbërjen e vaksinës. Një dokument i cili do të vlerësohet me përgjegjshmëri përveç mjekut dhe specialistit që e ka dhënë edhe nga specialisti i Institutit të Shëndetit Publik.

– Penaliteti për paraqitjen për marrjen e PCR në mënyrë periodike do të fillojë vetëm pas datës 30 shtator.

– Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

– Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat