Vdekja e rusëve/ Ambasada: Trupat u dërguan në Rusi, do ekzaminohen edhe atje

Shqipëria

Vdekja e rusëve/ Ambasada: Trupat u dërguan në Rusi, do ekzaminohen edhe atje

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 13:25
Ambasada ruse në Tiranë

Ambasada ruse në Tiranë ka konfirmuar se trupat e pajetë të 4 turistëve rusë janë nisur drejt vendit të tyre.

Sipas tyre, atje do të kryhet edhe një tjetër ekzaminim.

“Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt.

Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.   

Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë,” thuhet në njoftim.

Edhe mediat ruse vazhdojnë të ndjekin nga afër ngjarjen e rëndë në Qerret të Kavajës, ku humbën jetën 4 turistë rusë.

Ria Novosti raporton se në trupat e katër turistëve rusë nuk janë gjetur shenja dhune. Duke cituar burime nga prokuroria, Ria Novosti shkruan se hetuesit po hetojnë të dhënat nga kamerat e sigurisë.

Sipas tyre, viktimat ishin në gjendje të mirë fizike para se të futeshin në spa.

Kujtojmë se 4 rusët humbën jetën mbrëmjen e 15 tetorit. Viktimat janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat