Situatë e rënduar në dy spitalet Covid, numri i viktimave 2.5 herë më i lartë se një vit më parë

Shqipëria

Situatë e rënduar në dy spitalet Covid, numri i viktimave 2.5 herë më i lartë se një vit më parë

Më: 23 tetor 2021 Në ora: 13:03
Foto ilustrim

56 jete te humbura nga Covid-19 në 7 ditët e fundit. Bilanci i vdekjeve nga virusi në 2 spitalet Covid është 2.5 herë më i lartë se për të njëjtën periudhë ne tetor 2020.

Me konkretisht, nga 16-22 tetor 2021 janë raportuar zyrtarisht 56 fatalitete në spitalet Covid, ndërsa për të njëjtën periudhë një vit më parë numëroheshin 22 viktima.

Bilanci i viktimave nga virusi në spitalet Covid bëhet edhe më i lartë, nëse krahasojmë numrin e pacientëve të shtruarve. Po sipas të dhënave zyrtare, raportohen 137 pacientë me Covid në dy spitalet e dedikuara ose rreth 50% më pak sesa në tetor 2020, kur në spitalet covid trajtoheshin 259 pacientë.

Burime për News24 nga spitalet Covid pohojnë se mosha më e re e shtruar është një 21-vjeçar, që po trajtohet prej një muaji për shkak të komplikacioneve të rënda në mushkëri, ndërsa mosha që dominon është mbi 60 vjeç.

Në vazhdimësi mjekët kanë apeluar popullatën që të mos abuzohet me vetëkurimin në shtëpi, pasi ka raste ekstreme, ku pacientët sillen në spital në grahmat e fundit të jetës.

Burime të sigurta pohojnë se mesditën e ditës së premte kanë mbërritur në spital dy pacientë të moshave 44 dhe 70 vjeç, që kanë ndërruar jetë pa arritur të dërgohen në reanimacionin e Infektivit.

Të njëjtat burime informojnë se dy gra shtatzëna në gjendje të përmirësuar kanë lënë spitalin, ndërsa një tjetër shtatzënë 34 vjeçe vijon trajtimin spitalor në gjendje më të rënduar klinike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat