Alarmi për shëndetin mendor, në Korçë dhe Vlorë rritet numri i të sëmurëve, jo të gjithë janë kontigjent dhune

Shqipëria

Alarmi për shëndetin mendor, në Korçë dhe Vlorë rritet numri i të sëmurëve, jo të gjithë janë kontigjent dhune

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 14:28
Ilustrim

Në Korçë dhe në Vlorë ekspertët japin alarmin për rritjen e numrit të personave që vuajnë nga shëndeti mendor. Mjekët psikiatër thonë se jo të gjithë të sëmurët me probleme të shëndetit mendor janë kontigjent dhune, ndërsa shtojnë se personat asocialë dhe ata që kanë përjetuar dhunë në fëmijëri janë potencialisht të rrezikshëm.

Vitet e fundit në Korçë është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të personave që shfaqin probleme të shëndetit mendor.

Alarmi vjen nga mjekja psikiatre Nikolina Bode, e cila thotë se janë rreth 3400 persona të kartelizuar në Qendrën e Shëndetit mendor atje.

"Numri ndërkohë është në rritje, ne çdo javë kemi kartelizime të reja. Ecuria e rasteve që ndiqen rregullisht është e mirë, rastet të cilët janë të vetmuar dhje kanë probleme të tjera bashkë-shoqëruese ka pastaj probleme që bëhen kontigjent hospitalizimesh," tha mjekja.

Pandemia rëndoi situatën, ndërsa ekspertët thonë se personat e vetëm dhe at që janë përballur me akte dhune në fëmijëri janë potencialisht kontigjent për të kryer vepra të ndryshme penale.

"Persona të cilët mund të jenë kontigjentë risku për vepër penale janë sociopatët, personat antisocialë por dhe këta brenda vetes së tyre kanë modelet e tyre të sjelljes, histori abuzimesh me lëndët narkotike, alkoolin, drogën. Nuk bëhet një njeri në moshën 30-40 vjeç antisocial, ka qenë i tillë, ka një histroi brenda vetes," shtoi mjekja.

Me të njëjtën situatë po përballet edhe Vlora, ku mbi 2000 persona të kartelizuar me probleme të shëndetit mendor, marrin trajtim ambulator në shtëpi.

"Shumica e këtyre pacientëve që nuk kanë mbështetje familjare ne i kemi kaluar në mjekim ambulator, që do të thotë që bëhet një mjekim për 15 ditë."

Ekspertët e shëndetit mendor flasin për një situatë të vështirë në vend për problemet e shëndetit mendor, ndërsa thonë se shoqëria dhe sinjalizimet që vijnë nga komunitetet janë shumë të rëndësishme për identifikimin dhe trajtimin e rasteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat