4 muaj burg për shqiptarin që fitoi lotarinë amerikane me diplomë false

Shqipëria

4 muaj burg për shqiptarin që fitoi lotarinë amerikane me diplomë false

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Dorëzimi i një diplome gjimnazi të falsifikuar në dokumentet e lotarisë amerikane jo vetëm që i ka djegur ëndrrën amerikane një 40-vjeçari nga Gjirokastra, por i ka kushtuar edhe një dënim me burg në Gjykatën e Tiranës.

I pandehuri Marsel Mera është shpallur fajtor për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve shkollore” dhe dënuar me 4 muaj heqje lirie. Rasti i tij u zbulua nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, gjatë filtrimit të dokumenteve të paraqitura nga 40-vjeçari si fitues i lotarisë amerikane.

Numri i tij i amzës, i përkiste një tjetër personi në regjistrat e gjimnazit të Memaliajt, nga pretendohej të ishte lëshuar dëftesa e pjekurisë. Referimi i rastit nga Ambasada Amerikanë në Prokurorinë e Tiranës, e çoi si të pandehur Merën.

Gjatë hetimit 40-vjeçari ka pranuar se nuk e kishte kryer shkollën e mesme dhe se ishte i ndërgjegjshëm që diploma ishte e falsifikuar, por ishte dëshira e tij e madhe për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e bëri ta dorëzonte atë.

Ai ka treguar për hetuesit se dëftesa ishte blerë nga babai i tij në vitin 2004 kundrejt një shumë prej 4500 lekësh. 40-vjeçari është gjykuar pa masë sigurie dhe ndonëse u dënua me burg ai nuk ka shkuar në qeli. Sipas sistemit TIMS, ai rezulton të jetë larguar nga Shqipëria në muajin shtator, por sigurisht, jo drejt Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat