12-vjeçarja shqiptare abuzohej seksualisht nga i dashuri i motrës/ 47-vjeçari e kërcënonte, dëshmi rrëqethëse dalin në dritë

Shqipëria

12-vjeçarja shqiptare abuzohej seksualisht nga i dashuri i motrës/ 47-vjeçari e kërcënonte, dëshmi rrëqethëse dalin në dritë

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 14:14
Urim Cenuka e ka pranuar krimin

 Pas arrestimit të 47-vjeçarit Urim Cenukës për abuzim seksual ndaj një 12-vjeçareje në fshatin Gjalish të Matit, dëshmi rrëqethëse dalin në dritë.

Mësues të shkollës së mesme të fshatit Lis, zyrtarë të kujdesit social pranë Bashkisë Mat, drejtues të Komisariatit të Policisë dhe banorë të zonës thonë se P.M, është rast i veçantë abuzimi dhe vuajtjesh në këtë zonë. Në qershor të këtij viti, vajza ka marrë urdhër mbrojtjeje për shkak të dhunës fizike nga babai i saj, Skënder Cakoni.

Ai njihej si person i alkoolizuar duke ushtruar dhunë mbi pjesëtarët e familjes, sidomos dy gratë e tij (njëra e celebruar dhe tjera bashkëjetuese), vajzat dhe mbesat.

Kjo familje sipas specialistëve të Bashkisë Mat jeton në skamje të plotë. Edhe pse P.M, 12 vjeçe, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, babai i saj jeton në një banesë me familjarët e tjerë.

“Ne e kemi asistuar disa herë këtë familje me ndihma ushqimore. Tetë persona jetojnë në dy dhoma. Në qershor të këtij viti, kur 12- vjeçarja mori urdhër mbrojtjjee nga babai, ky i fundit fjeti për ca kohë në stallën e bagëtive, pranë shtëpisë së tij”, thanë punonjës të shërbimit social pranë Bashkisë Mat.

Me bashkëshorten e dytë A.M, Cakoni ka lindur dy vajza. Vajza e madhe është martuar në Librazhd dhe para dy vitesh është divorcuar. Njërin nga tre fëmijët e mban bashkëshorti dhe dy vajzat i ka H.M, e cila sipas banorëve të fshatit është shkaktarja e abuzimit të motrës 12-vjeçare. Ajo ka krijuar lidhje intime me Urim Cenukën, fqinj në fshatin Gjalish.

Një muaj më parë nga shkolla “Abdurrahman Përmeti” Lis ka mbërritur një informacion pranë Bashkisë Mat ku shprehej dyshimi se vajza me inicialet P.M, ka probleme, duke hedhur dyshime se abuzohej. Rënia në mësime e vajzës dhe mungesat e vazhdueshme në shkollë kanë krijuar dyshime për abuzimin e nxënëses së klasës së gjashtë.

Pas kësaj, Bashkia e Matit ka dërguar informacionin pranë Prokurorisë së Rrethit për të kryer hetime. Pas kësaj, organi i hetimit dhe Policia kanë mbajtur nën vëzhgim banesën e vajzës dhe të autorit të dyshuar për kryerjen e marrëdhënies seksuale me të miturën.

“Natën e 1 dhjetorit të këtij viti, efektivë të Policisë Mat kanë konstatuar se Urim Cenuka kishte marrë në shtëpinë e tij vajzën me inicialet P.M. Menjëherë, ky shtetas është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe është dërguar në qelitë e Burgut të Burrelit, në dhomat e paraburgimit.

Cenuka e ka pranuar krimin, ndërsa vajza e mitur është shprehur se disa ditë më parë ky shtetas i ka zënë rrugën dhe e ka kërcënuar, duke i kërkuar të mos tregojë se është përdhunuar nga ai”, u shprehën zyrtarë të Komisariatit të Policisë Mat.

Të enjten, vajza është dërguar në një qendër të mbrojtjes së fëmijëve në Dibër, por disa orë më vonë ka refuzuar të qëndrojë atje, duke u dërguar gjatë së premtes në Elbasan.

Nëna e minorenes sipas mjekëve të Spitalit “Xhavit Mara” Burrel kurohet pasi vuan nga “prapambetje e moderuar mendore”.

Ajo nuk është në gjendje të thotë se çfarë ka ndodhur me vajzën e saj, ndërkohë shprehet se: “Ai ‘burri’ doli nga ferra dhe kërcënoi vajzën. Unë më mirë të vdes se sa të rri pa vajzën time. Nuk kam njeri që të më shërbejë. Dua të rri afër burrit tim. Nëse ka mundësi, me siguroni ushqime”.

Policia ka marrë në mbrojtje familjen Cakoni prej tri ditësh, për të shmangur ndonjë ngjarje tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat