I moshuari i pastrehë rrëfen dramën: Tentova dy herë të vras veten

Shqipëria

I moshuari i pastrehë rrëfen dramën: Tentova dy herë të vras veten

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 08:22
67-vjeçari Fisnik Hajro

Janë të shumta arsyet e keqfunksionimit të sistemit të pensioneve. Mosdeklarimi i punonjësve është një prej plagëve ende të pa kuruara. Informaliteti, në fillim vitet ‘90 ishte thuajse normalitet. E tejzgjatja e fenomenit të punës në të zezë për dekada, është tregues i qartë i mungesës së vizionit për një shtet të konsoliduar. Në këto rrethana pensioni mesatar mbetet një ëndërr e largët për shumë të moshuar. 67-vjeçari Fisnik Hajro është një prej tyre, që në moshën e pleqërisë i duhet të jetoj aktin më tragjik të jetës së tij.

Në Tiranën e dy dekadave më parë, mosndërgjegjësimi për sigurimet shoqërore ishte i dyanshëm, si për shtetin ashtu edhe për qytetarët. Por, ndonëse politikanët nuk e harruan pleqërinë e tyre, qytetarët e thjeshtë si Hajro, në përpjekje për të siguruar të tashmen, e zprapsën mendimin për një pension ku të mbështeteshin në vitet e fundit të jetës.

Pas një kalvari të gjatë për të plotësuar 15 vjeçarin e nevojshëm, përballja me realitetin që do t’i ofrohej me pensionin e pjesshëm do të ishte një sfidë më shumë për të.

Me vetminë që e shoqëron në çdo hap, e pa një çati mbi kokë, 68-vjeçarit iu desh të endej për një ndihmë minimale  apo së paku strehim në strukturat shtetërore.

Në prag të dimrit e vetmja dorë që i është zgjatur është ajo e humanistit Hysni Kuka, drejtues i të Shoqatës Humanitare “Kuka”, por netët e gjata që i është dashur të kaloj mes territ rrugëve të kryeqytetit janë kthyer në makthin më të madh të jetës së tij….

Pensioni do të duhet të ishte sot bastuni ekonomik, ku të mbështetej për nevojat bazë, por në rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat gjendet e shikon që 15 vite kontribut i kthehen në trajtën e një lëmoshe, me të cilat nuk di ç’të bëjë më parë.

Gjatë 20 ditëve të kaluara në të ftohtë, ai është ndeshur me fatin drithërues të të pastrehëve, të cilët tentojnë t’i mbijetojnë ditës, pa ditur çdo të sjellë e nesërmja, gjithmonë  nëse për ta do të ketë një të tillë.

Dhjetëra prej tyre janë si Abazi, që dikur kanë pasur një jetë normale, mirëpo rrethanat jetësore, e veçanërisht fenomeni i braktisjes së moshës së tretë i bën të gjenden në mëshirë të fatit. Më herët Hajron e ka strehuar një tjetër i moshuar, por me ndarjen nga jeta të këtij bamirësi, ai ngeli në mes të katër rrugëve, e me 260 lekë në ditë pension…

Të gjithë moshuarit që jetojnë në rrugët e kryeqytetit, mbartin me vete një histori për të rrëfyer. Një të shkuar, e cila u vërtitet si dezhavu gjatë netëve të gjata, ndërsa lutjet e tyre klithin fort, për një strehë mbi kokë… Hajro tregon, se pasi trokiti në Bashki, këta të fundit kërkuan mbështetjen e Shoqatës Bamirëse Kuka që ndonëse për shkak të situatës është në limit të vendeve, drejtuesi i saj i ka premtuar ta ndihmoj personalisht, duke e strehuar në banesën e tij në fshat.

Por sa është realisht mundësia aktuale e strukturave shtetërore për strehim të të moshuarve? “Vetting” kontaktoi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të kuptuar se sa janë qendrat në dispozicion të kësaj kategorie.

“Ju informojmë se deri më sot ka 34 qendra për të moshuar, nga këto 21 janë publike dhe 13 jopublike; 9 rezidenciale publike dhe 7 rezidenciale jopublike”, shkruhet në përgjigjen e MSHMS.

Janë 50 qendra dhe rezidenca  në total, po aq sa janë kostatuar Në “Planin Kombëtar të Moshimit 2020-2024” të miratuar përmes vendimit nr 864 në dhjetor të vitit 2019, ku theksohej nevoja  urgjente për strehim afatgjatë të disa kategorive të të moshuarve në rrezik braktisjeje dhe izolimi. Ndërkaq përgjatë këtyre dy viteve Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën me dije se gjatë dy viteve të fundit janë ngritur tre qendra ditore dhe 2 shërbime në nivel qarku.

“Gjatë viteve 2020 dhe 2021 në kuadër të programit të financimit të Fondit Social, MSHMS ka financuar ngritjen e pesë shërbimeve të reja për këtë kategori; 3 qendra ditore në tre bashki: Roskovec, Prrenjat dhe Belsh me 150 përfitues si dhe 2 shërbime në nivel qarku:

-Qendra sociale  “Shtëpia e përbashkët” në Berat, ku target grupi përfshin 80 të moshuar pa mbështetje familjare me nevoja social ekonomike, ku përfshihet kujdesi shëndetësor, vakt ushqinmor, aktivitetet social-kulturoree si deh terapi okupacionale.

-Për herë të parë do të zbatohet nga Qarku Tiranë ofrimi i asistencës shtëpiake – shërbim shëndetësor dhe social për 85 të moshuarit në banesë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MSHMS.

Sa i përket banesave të strehimit, sociologu Gëzim Tushi thotë se ritmi i ngritjes së qendrave të reja është i ngadaltë, si dhe vë theksin tek domosdoshmëria për të kthyer vëmendjen nga shtresa e të moshuarve të braktisur e të pastrehë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat