Spiropali shpërthen pas dhunës në selinë e PD-së dhe ka një paralajmërim: Nga nesër...

Shqipëria

Spiropali shpërthen pas dhunës në selinë e PD-së dhe ka një paralajmërim: Nga nesër...

Më: 9 janar 2022 Në ora: 11:45
Elisa Spiropali

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka dalë me një reagim të fortë në rrjetet sociale pas përplasjes së dhunshme që ndodhi dje në selinë e PD-së.

Spiropali shkruan se epoka u dhënës ka marrë fund tashmë dhe që nga nesër e më tej është detyrë e qeverisë që të konsolidojë ndarjen e plotë të ndikimit të partisë nga shteti, instalimit të meritës si vlera më e lartë, që asnjë shqiptar të mos e ndjejë veten të përjashtuar nga proceset politike dhe ekonomike të vendit, të gjithë shqiptarët të luftojnë e punojnë për fëmijët dhe vendin e tyre jo për hallin e shefave të partive në kurriz të Shqipërisë.

Postimi i plotë:

DJE, SOT, NESËR

Kur ishin bashkë sulmonin Parlamentin dhe Kryeministrinë me hunj, drunj, vare', qysqi, gurë, zjarr, molotov, e çfarë t'iu vinte për dorë.

Sot që janë të ndarë, armiq të vetvetes dhe të njëri-tjetrit, për qëllime po aq të mbrapshta përdorin të njëjtat mjete për të arritur me çdo kusht te pushteti pa legjitimitet.

Deputetët që dje qanin me lotë të fshehtë nga tarraca e selisë, atëherë justifikonin çdo mjet për hir të luftës kundër “regjimit”. Bërtisnin kundër gazit lotsjellës, mallkonin policinë që bënte detyrën duke përballur sulmet e marrëzisë.

Dje, si atëherë, policia veproi me profesionalizëm të lartë dhe efektivitet të plotë përballë një situate nga më të ndërlikuarat, më të çuditshmet dhe më të pabesueshmet në historinë politike tonën dhe botërore, por padrejtësisht po anatemohet nga ata që Shqipërinë e duan vetëm për arritjen e qëllimeve të tyre materiale kriminale.

Gjuha linçuese dhe denigruese, sulmet fizike, dhuna periodike nga një pakicë e zhurmshme i kanë ngushtuar venat e demokracisë tonë, kanë lodhur nervat, kanë plagosur ëndrrat e disa brezave, e kanë kthyer politikën e mbrapshtë në një rrezik serioz për vendin.

Dje barraka tranzicionale e militantizmit të verbër, regjionalizmit, dhunës, klientelizmit, e shume të zezave të tjera u rrëzuan para syve dhe nën këmbët e atyre që e arkitektuan.

Në rrugën e një normaliteti politik të vështirë por të pashmangshëm, prej sot e tutje Shqipëria do jetë më e qartë dhe më e lirë. Keqardhje per të gjithë demokratët që sot shohin me dëshpërim se mbretërit e tyre janë si në përrallën e Andersenit dhe se të dy së bashku, mbajë peng PD-në!

Peng te interesave që nuk kanë të bëjnë as me demokratin e thjeshtë, as me cilindo shqiptar që e pranon të ndryshmin dhe nuk e vret të nesërmen për hir të së shkuarës! Eshtë hera e parë që të dy Berishët e PD-së, ai dora vet dhe nënprodukti i tij, kanë të drejtë kur flasin për njëri-tjetrin: janë të dy kundërshtarët më të egër të demokratëve.

Që nesër e çdo ditë i takon kësaj qeverie dhe kësaj shumice të konsolidojë ndarjen e plotë të ndikimit të partisë nga shteti, instalimit të meritës si vlera më e lartë, që asnjë shqiptar të mos e ndjejë veten të përjashtuar nga proceset politike dhe ekonomike të vendit, të gjithë shqiptarët të luftojnë e punojnë për fëmijët dhe vendin e tyre jo për hallin e shefave të partive në kurriz të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat