Dyshime për Inceneratorin e Tiranës/ KLSH: Koncesioni më abuziv i dhënë nga qeveria

Shqipëria

Dyshime për Inceneratorin e Tiranës/ KLSH: Koncesioni më abuziv i dhënë nga qeveria

Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 12:37
Foto ilustrim

Inceneratori i Tiranës konsiderohet si një nga koncesionet më abuzive të dhëna nga qeveria, duke nisur që nga procedura e miratimit të tij e deri tek pagesat që po rëndojnë buxhetin e bashkisë dhe të shtetit.

Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në një audit që ka kryer, ende të papublikuar, por që Vizion Plus ka siguruar. Shkelja e parë nis me faktin se nuk ka një dokumentacion të qartë të propozimit të pakërkuar nga ana e kompanisë koncesionare, mbi të gjitha një praktikë e tillë nuk është publikuar as në Agjencinë e Prokurimit Publik, çka është një detyrim ligjore.

“Procedura e planifikimit të projektit ka mungesa dhe paqartësi në lidhje me propozimin paraprak të ardhur në ministri nga shoqëria dhe konfirmimin e miratimit paraprak nga ana e ministrisë së Financave. Procedura konkurruese nuk gjendet as në sistemin elektronik të prokurimeve, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme shkresore elektronike mes ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Procedura konkurruese e këtij projekti me koncesion nuk është kryer në përputhje me parimet transparencës dhe përcaktimet ligjore.” –thuhet në raportin e KLSH.

Në raport evidentohet se ky koncesion është miratuar pa patur më parë një studim fizibiliteti lidhur me efektivin e tij, ndërsa ministria e Financave nuk ka dhënë miratimin e saj mbi këtë projekt. I vetmi institucion publik, i cili është shprehur pro këtij investimi është bashkia e kryeqytetit, ndërsa nuk janë pyetur bashkitë e tjera të qarkut Tiranë.

Mungesa e vendimmarrjes nga ana e ministrisë së Financave, në cilësinë e vlerësuesit dhe miratimit paraprak të këtij koncesioni, nga pikëpamja finaciare, shpreh në mënyrë eksplicite paqëndrueshmërinë e angazhimeve publike që rrezikojnë në mënyrë të konsiderueshme përballueshmërinë dhe efektivitetin e projektit. Mungesa e dakordësive me shkrim e bashkive të tjera, përveç bashkisë Tiranë, provokon në të ardhmen kosto financiare për këto njësi vendore, çka do të sjellë mungesë efektiviteti për realizimin e projektit në të ardhmen.”- vijon më tej raporti.

Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit ndalen edhe te tarifa prej 29 euro, që paguhet për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, e cila mbete sërish e paratë se si është përllogaritur kjo tarifë.

“Institucionet e përfshira në auditim nuk kanë vendosur në dispozicion asnjë evidencë për negocimin paraprak të tarifës prej 29 euro për tonë të mbetjeve me operatorin ekonomik koncensionar.”

I gjithë ky koncesion ka dyfishuar shpenzimet për pastrim të bashkisë së Tiranës, ndërsa edhe buxheti i shtetit po rëndohet çdo vit me transfertat që paguan ndaj këtij koncesioni, ndërkohë që inceneratori ende nuk ekziston si një vepër publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat