​Meta: Nuk kam shkelur asnjë ligj apo nen të Kushtetutës

Shqipëria

​Meta: Nuk kam shkelur asnjë ligj apo nen të Kushtetutës

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 22:28
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e cilësoi sot kërkesën për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, si një proces politik, ndërsa shtoi se, ka pritur që kjo çështje të zgjidhej më herët.

I ftuar në një studio televizive, Meta tha se “nuk kam pasur asnjë lloj emocioni për çështjen në Gjykatën Kushtetuese, por kam pritur të zgjidhej më herët”.

“Kjo zgjatje nuk më ka shqetësuar sepse fundin e kam ditur për sa kohe nuk kam bërë shkelje as të rëndë dhe as të lehtë. Ky ka qenë një proces politik për ta përdorur si mjet shantazhi”, tha ai.

Meta tha se “nuk është rastësi që është bërë në këto momente, por ka qenë një tentativë për të kapur të vetmin institucion të pavarur, por dhe për të hequr vëmendjen nga aferat korruptive të qeverisë”.

“Ky ishte hetimi i tretë kundër meje. Një maskarade politike, një show. Kërkesa për shkarkim nga Parlamenti ka qene shantazh ndaj Presidentit, për qëndresën që ai ka bërë për moskapje të shtetit. Kjo kërkesë ka qenë e paligjshme dhe në formë hakmarrje e mazhorancës ndaj Presidentit të Republikës. Presidenti nuk ka shkelur asnjë ligj dhe as një nen të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Asnjë fjalë nuk tërheq nga ato që kam thënë”, tha Meta.

“Unë jam krenar që edhe i vetëm si institucion, para mazhorancës, kam kthyer çdo ligj të paligjshëm dhe të padrejtë, duke bërë qëndrese të argumentuar para çdo padrejtësie. Kërkoj nga Prokuroria përgjigje për falsifikimin e rëndë të provave të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën kam bërë një kallëzim penal. Pres nga e gjithë opozita të reagojë për këtë skandal kaq të rëndë”, tha ai.

Meta shprehu bindjen se “opozita në Shqipëri do të jetë shumë shpejt më e fortë sesa mendon kushdo, sepse ndjenja e shqiptarëve për të reaguar ndaj një arrogance që tenton t’i largojë nga vendi ata është e jashtëzakonshme”.

“Situatat po ndryshojnë dhe do kemi ndryshim më të madhe, unë mezi po e pres 24 korrikun, sepse Shqipëria ka humbur shumë në këto 8 vjet”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat